Një vit nga vrasja, mbeten të hapura shumë pyetje për vrasjen e Khashoggit

  • 01 October 2019 - 13:58
Një vit nga vrasja, mbeten të hapura shumë pyetje për vrasjen e Khashoggit

Një vit më vonë, bota vazhdon të kërkojë për të mësuar të vërtetën për fatin e gazetarit të shquar saudit Jamal Khashoggi, vrasja e të cilit shkaktoi tronditje dhe zemërim ndërkombëtar, duke vënë Arabinë Saudite në qendër të vëmendjes, shkruan Anadolu Agency (AA).

Khashoggi u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll të Turqisë më 2 tetor të vitit 2018. Përkundër informacioneve që kanë dalë se si u vra ai, ende nuk ka të dhëna zyrtare se ku ndodhet trupi i kolumnistit të Washington Post-it, ndërsa vrasja e tij vazhdon të mbetet një temë e rëndësishme në nivel global.

Duke mohuar çdo përfshirje dhe njohuri për vrasjen, Arabia Saudite u detyrua përfundimisht të pranonte përfshirjen në vrasje, për shkak të përpjekjeve të presidentit Turk Recep Tayyip Erdoëan, presionit ndërkombëtar të arritur përmes një diplomacie efektive dhe prezantimit të provave nga hetimet e përpikta të Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit.

Pasi refuzoi ekstradimin në Turqi të të dyshuarve të përfshirë në vrasjen e Khashoggit, Arabia Saudite arrestoi 11 të dyshuar dhe kërkoi dënimin me vdekje për 5 prej tyre.

Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit menjëherë nisi hetime lidhur me pretendimet për arrestimin e Khashoggit, ndërsa Konsullata Saudite në Stamboll mohoi pretendimet duke thënë se Khashoggi ishte larguar nga ndërtesa para zhdukjes së tij evidente.

“Si president, unë e kam ndjekur rastin dhe do të informojmë botën se si do të zgjidhet kjo çështje”, pati deklaruar Erdoëan në fjalimin e parë pas vrasjes.

Erdoëan telefonoi presidentin e SHBA-së Donald Trump, mbretin saudit, Salman bin Abdulaziz Al-Saud dhe princin e kurorës Mohammad Bin Salman lidhur me vrasjen dhe gjithashtu realizoi kontakte të shpeshta me liderët botërorë, për të shtyrë Arabinë Saudite që përfundimisht të pranojë vrasjen.

Ai gjithashtu telefoni familjen e Khashoggit për t’iu shprehur ngushëllime. Vrasja tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, përfshirë reagimet e OKB-së, Bashkimit Evropian, Kandasë, Rusisë dhe Iranit.

Trump tha se mbulimi i vrasjes ishte “një nga mbulimet më të këqija në historinë e fshehjes së fakteve” dhe kushdo që ishte ideatori “ai është në telashe të madhe”.

Prokurori i Përgjithshëm saudit Saud al-Mujeb u takua me Kryeprokurorin Publik të Stambollit Irfan Fidan rreth vrasjes. U formua një grup i përbashkët pune turko-saudit dhe hetuesit kryen ekspertizë në ndërtesën e konsullatës. Poashtu u përdorën edhe kamerat robot për të inspektuar rrjetin e ujërave të zeza në përpjekje për të gjetur mbetjet e trupit të Khashoggit. 

Përmes një deklarate, Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit raportoi se Khashoggi ishte mbytur dhe trupi i tij ishte copëtuar.

Administrata e Arabisë Saudite më vonë pranoi se Khashoggi ishte vrarë në një “përleshje” në konsullatë, me ç’rast u arrestuan 18 sauditë. Në një deklaratë nga oborri mbretëror të njëjtën natë, zëvendësdrejtori i inteligjencës Ahmed al-Assiri u shkarkua ndërsa 3 oficerë të lartë të inteligjencës u pushuan nga puna.

Princi saudit i kurorës mori “përgjegjësinë e plotë” për vrasjen, duke e përshkurar si “krim të shëmtuar”, por mohoi të ketë dhënë urdhër për vrasjen.

Për të kryer hetimet ndërkombëtare rreth çështejs, në Stamboll nga data 28 janar deri më 3 shkurt qëndruan raportuesja speciale e OKB-së për ekzekutimet jashtëgjyqësore, Agnes Callamard, avokatja britanike baronesha Helena Kennedy dhe patologia dhe profesoresha e forenzikës në Univeristetin Coimbra të Portugalisë, Duarte Nuno Vieira, për të mbledhur informacione rreth vrasjes.

Raporti i Callamard gjeti se “Khashoggi ishte viktimë e një ekzekutimi të qëllimshëm, të paramenduar, vrasje jashtëgjyqësore, për çka, sipas ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut përgjegjës është shteti i Arabisë Saudite”.

Raporti nënvizon se Arabia Saudite duhet t’i kërkojë falje Qeverisë Turke për abuzim të privilegjeve diplomatike, duke sugjeruar se përgjegjës ishte shteti saudit.

Poashtu raporti tërhoqi vëmendjet lidhur me rrethanat në të cilat u vra Khashoggi, duke theksuar për mundësinë e “aktit të torturës” sipas Konventës së OKB-së kundër torturës, të cilën Arabia Saudite e ratifikoi në vitin 1997, duke shtuar se vrasja e tij gjithashtu mund të përbëjë zhdukje me forcë, pasiqë vendodhja e eshtrave të tij ende nuk është gjetur.

Më tej raporti sugjeron se Zyra Federale e Hetimeve të SHBA-së (FBI) duhet të nisë hetime, e cila ka prova të besueshme për hetimin e autoriteteve të niveleve të larta saudite, përfshirë edhe princin saudit të kurorës.

Gjithashtu u raportua se Callamard dhe ekipi i saj kishin qasje në “regjistrimet zanore ngjethëse dhe të frikshme të marra nga shërbimi turk i inteligjencës”.

– Dalin regjistrimet zanore

Transkripte të ndryshme zanore të regjistruara nga skena e vrasjes u publikuan nga disa media të Turqisë. Ato përfshijnë një bisedë të mundshme mes agjentit të inteligjencës saudite Maher Abdulaziz Mutreb dhe Dr. Salah Muhammed al Tubaigy, kreut të provave mjeko-ligjore në Departamentin e Sigurisë së Përgjithshme Saudite, ku ata planifikonin se çfarë të bënin pasiqë Tubaigy kishte copëtuar trupin e Khashoggit.

Transkriptet poashtu zbuluan se Khashoggit i kanë thënë se do ta dërgojnë prapa në Rijad për shkak të një urdhri nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (Interpol), dhe ai ishte përgjigjur “se nuk ka asnjë çështje kundër meje. E fejuara ime është duke më pritur mua jashtë”.

Raportohet se Khashoggi u ka kërkuar vrasësve të tij të mos ia mbyllin gojën pasiqë vuan nga astma dhe mund të mbytet. Më pas, atij iu injektua një sasi e madhe ilaçi. Pas zërave të një beteje në regjistrime, anëtarët e ekipit mund të dëgjohen duke thënë “A ende fle ai? Ai po e ngre kokën,…vazhdo me presionin”, sipas transkriptës.

Anadolu Agency publikoi një libër rreth incidentit të titulluar “Vrasja e Jamal Khashoggit”, e cila përshkruan në detaje vrasjen e gazetarit saudit.

Libri gjithashtu prezanton të gjitha ngjarjet e zhvilluara gjatë dhe pas incidentit për lexuesit përmes lajmeve, fotografive dhe videove të saj.

(Kosova Sot Online)