Denoncimi i rëndë: Ja cila Gjykatë duhet të merret me Telekomin dhe Z-Mobile

  • 01 October 2019 - 14:25
Denoncimi i rëndë: Ja cila Gjykatë duhet të merret me Telekomin dhe Z-Mobile

Sipas analistëve politikë, në fundosjen e PTK-së bashkautorë është edhe prokuroria e shtetit me heshtjen e saj dhe mos veprimin e pashembullt.

Analistët thonë se edhe prokuroria është e vetëdijshme për krimet që janë bërë kundër Telekomit, por pse nuk kanë bërë asnjë hetim dhe nuk ka aktakuza për "krimet" e pandërprera që janë bërë në PTK, sidomos në këto 11 vitet e fundit, duke u përfshirë edhe kontrata e Devollëve.

Ata akuzojnë prokurorinë se po frikësohen të marrin hapa për Z-MOBILE, dhe të tjera kontrata kriminale, pasi që prapa këtyre kontratave dalin politikan të inkriminuar dhe të lidhur me krimin.

Fundosja e PTK-së, sipas tyre, bashkautor ka edhe prokurorinë e shtetit me heshtjen e saj dhe mos veprimin e pashembullt.

Analistët thonë se prokuroria speciale prej vitit 2008 e deri tani ne 2019-ten, nuk u morë me rastet për krimin e organizuar dhe shkatërrimin e PTK-së nga ish-kryeministrat dhe ish-qeveritë, në majat e pushtetit në të tre shtyllat e pushteteve te tejinkriminuara në 11 vitet e fundit.

Image
Dardan Grapci

"Kontrata kriminale në mes të Telekomit të Kosovës dhe Z-MOBILE është bërë e qartë shumë më përpara, por tani me verifikimin dhe aprovimin nga ARKEPI po bëhet edhe më e qartë se Z-MOBILE duhet me i kthyer numrat e tyre tek Telekomi i Kosovës në këtë rast ti rikthehet në shfrytëzim tek VALA. Ish drejtorët dhe ish menaxhuesit e Telekomit të Kosovës në bashkëpunim me politikan e kanë sjellë Telekomin deri në këtë gjendje, duke mos e zbatuar ligjin rregullativ të operatoreve dhe duke mos marre informata shtesë nga ARKEPI se si duhet të veprohet", tha Dardan Grapci për "Kosova Sot Online".

Sipas tij, nga viti 2008 e deri sot, Telekomi ka pësuar rënie të madhe si në punë ashtu edhe në ekonomi. 

"Sa i përket Prokurorisë së Kosovës, në atë kohë është dështuar që ta hapin këtë çështje dhe ta përfundojnë e jo të lejohet shkatërrimi total i Telekomit të Kosovës, arsyeja pse Prokuroria e Kosovës nuk është marrë me këtë çështje këtë e dinë më së miri prokurorët, por një gjë kanë gabuar se kanë pranuar gjykatës të cilët ndoshta as diplomë nuk kanë pasur si dhe duke u punësuar në baza partiake. Kush ka gisht në këtë kontrate kriminale?, për këtë do ishte mirë të pyetet AKI-ja dhe Policia e Kosovës, sepse këtu dikush është i përfshirë. Kam deklaruar më përpara dhe po e përsërisë edhe njëherë, që nëse dëshirojmë transparencë dhe një gjykim të drejtë, kjo çështje duhet me shku ne Gjykatën Speciale të Kosovës ose në Hage, rruge tjetër nuk ka", përfundoi Grapci për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)