Gjykata Evropiane urdhëron Bosnjën që ta rrënojë kishën në pronën e vejushës myslimane

  • 01 October 2019 - 15:58
Gjykata Evropiane urdhëron Bosnjën që ta rrënojë kishën në pronën e vejushës myslimane

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka urdhëruar Bosnjën dhe Hercegovinën që ta rrënojë një kishë ortodokse serbe, për të cilën thotë se është ndërtuar ilegalisht në tokën e një vejushe myslimane, burri i së cilës ishte vrarë në luftë. Gruaja ishte detyruar të largohet nga prona e saj për shkak të luftës së viteve 1992-1995.

Fata Orloviq dhe 13 anëtarë të tjerë të familjes e kanë zhvilluar një betejë ligjore për rrënimin e kësaj kishe që nga viti 2000, kur ajo ishte kthyer në Konjeviq Polje në pjesën lindore të Bosnjës. Kjo pjesë qeveriset nga serbët që nga përfundimi i luftës.

Kisha ishte ndërtuar pak kohë pasi Orloviq dhe familja e saj ishin dëbuar nga fshati që shtrihet rreth 20 kilometra në lindje të Srebrenicës.

Forcat serbe kishin vrarë mijëra myslimanë të Bosnjës, përfshirë burrin e vejushës Orloviq dhe mbi 20 të afërm të tjerë në masakrën e Srebrenicës më 1995.

Gjykata i dha afat autoriteteve të Bosnjës që ta largojnë kishën brenda tre muajve prej datës kur vendimi të jetë i plotfuqishëm. Përpos kësaj, shteti boshnjak është detyruar të ofrojë dëmshpërblim prej 31 mijë eurosh për 14 anëtarët e familjes Orloviq, shkruan “New York Times”.

(Kosova Sot Online)