Studimi: Imunoterapia mund të aplikohet edhe tek personat e moshuar me kancer

  • 01 October 2019 - 16:17
Studimi: Imunoterapia mund të aplikohet edhe tek personat e moshuar me kancer

Një studim shkencor në Gjermani ku autore e parë është shkencëtarja kosovare Donjete Statovci-Simnica, i ka hapur rrugë trajtimit të kancerit me metodën efektive të Imunoterapisë edhe tek personat e moshuar

Një studim shkencor në Gjermani nga i cili ka dal një rezultat që i hap rrugë një mundësie të re për të sëmurët me kancer, është prezantuar edhe në Prishtinë. Donjete Statovci-Simnica është autore e parë e studimit me titull “Sekuencimi i Gjeneratës së Re të receptorit të qelizave T zbulon metrikët e repertorit të lidhur me kancerin dhe rivendosjen pas kimioterapisë tek pacientët me tumore hematologjike dhe të ngurta. DOI: 10.1080/2162402X.2019.1644110.”. Statovci-Simnica është në vitin e tretë të doktoratës në Universitetin “Martin Luther” në Halle të Gjermanisë.

Ajo së bashku me disa kolegë nga universitete tjera të Gjermanisë kanë studiuar funksionimin e sistemit imunitar tek personat e sëmurë me kancer të cilët janë në moshë mbi 40-vjeçare. Rezultatet e këtij studimi janë prezantuar në Shkollën me karakter ndërkombëtar për Imunologji të mbajtur në Prishtinë, me organizim nga Federata Evropiane e Shoqatave Imunologjike dhe Asociacioni Kosovar për Imunologji, Astme dhe Alergji.

Në një bisedë për Gazetën Shneta, doktoresha kosovare shpjegon rëndësinë e kuptimit të funksionimit të sistemit imunitar tek personat e prekur nga kanceri. Ajo tregon se sistemi imunitar ka dy rrugë kryesore përmes të cilave mbron trupin nga pushtuesit. Mënyra e parë e veprimit është mjaft e shpejtë dhe rrjedh nga imuniteti i lindur i cili reagon brenda disa orëve. Rruga e dytë reaguese është imuniteti i fituar ose adaptues që reagon me vonesë (dy deri në tri ditë) por ka një efikasitet të lartë.

“Imuniteti adaptues është shumë i rëndësishëm për organizmin e njeriut dhe kryesisht përmban qeliza imune të aktivizuara nga palca e eshtrave. Këto qeliza (Qeliza T) shkojnë tek gjëndrat e timusit ku specializohen për të njohur sulmuesit (virusët, bakterie etj)  dhe për t’i larguar ata nga sistemi. Përmes receptorëve special në membranat e tyre këto qeliza njohin bakteriet, viruset por edhe qelizat kancerogjene në trupin e njeriut. Këta receptor përpilohen në momentin që qeliza ka konktaktin e parë me sulmuesin dhe nga ai moment këto qeliza specializohen për të luftuar sulmuesin specifik. Ky është një nga mekanizmat që sistemi imunitar e posedon në mënyrë që t’i përshtatet një numri të madh të viruseve dhe baktereve me të cilat mund të përballet gjatë gjithë jetës. Por gjëndrat e timusit që prodhojnë këto qeliza T, fillojnë të tkurren që nga adoleshenca e deri në pleqëri. Si pasojë e këtij procesi mendohet se sistemi imunitar i individëve të moshuar është më pak efektiv në mbrojtjen e organizmit”, thotë Statovci-Simnica.

Ajo tregon tutje se objekt i studimi ka qenë përbërja e reportuarit  të qelizave T dhe analizimi i diversitetit si masë e aftësive imune. Diversiteti i sistemit imunitar është i përbërë nga dy gjëra, shton ajo – Shumëllojshmëria që nënkupton numrin e qelizave të ndryshme T dhe ekuilibrin e tyre.  Shumëllojshmëria e qelizave T, rritë aftësinë e sistemit imunitar për t’u përballur me viruse dhe baktere të llojeve të ndryshme. Ndërkaq ekuilibri qelizor tregon se deri në çfarë mase është e balancuar llojshmëria e qelizave T.

“Njëra ndër arsyet e rritjes së numrit të njerëzve të sëmurë me kancer është plakja e përgjithshme e popullatës. Për këtë arsye ishte e rëndësishme të kuptojmë ndikimin e moshës në sistemin imunitar. Përveç Kimioterapisë sot janë zhvilluar edhe mënyra tjera për ta trajtuar kancerin. Njëra nder to që ka treguar rezultate shumë të mira është Imunoterapia. Megjithatë për të qenë i përshtatshëm për këtë lloj terapie pacienti duhet të ketë një sistem imunitar funksional dhe me diversitet të lartë”, ka shpjeguar shkencëtarja kosovare.

Në studim janë analizuar mostrat e gjakut të mbi 300 personave të moshave të ndryshme, nga 30 deri në 70 vjeç, të cilët kanë qenë të shëndetshëm ose të sëmurë nga kanceri. Studimi ka rezultuar me dy të gjetura kryesore: Tek individët e shëndetshëm diversiteti i qelizave T (aftësia imunitare) bie me rritjen e moshës dhe është një proces i vazhdueshëm që fillon pas moshës 40-vjeçare.

“Ne gjithashtu mundëm të shohim se pacientët e pa trajtuar pa marrë parasysh moshën treguan një diversitet më të ulët të qelizave T në krahasim me individët e shëndetshëm. Pyetja që lind këtu është: A ishte sistemi imunitar ai që fillimisht ishte kompromentuar duke krijuar një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e kancerit apo ishte sëmundja ajo që e komprometoj sistemin imunitar. Kjo mbetet të analizohet ende në projektet e ardhshme kërkimore”.

“Një konstatim i rëndësishëm është se pacientët e moshuar me kancer, pas një trajtimi të gjerë me Kimioterapi ishin në gjendje të rivendosnin diversitetin e tyre imunitar të qelizave T, i cili është specifik për moshën e tyre. Për më tepër të dhënat tona sugjerojnë se burimi i vetëm i rivendosjes së diversitetit të qelizave T janë gjëndrat e Timusit”, ka treguar Statovci-Simnica.

Këto rezultate ndihmojnë të kuptohet dinamika e sistemit imunitar dhe studimi ka arritur të tregoj se aftësia imunitare është funksionale edhe tek pacientët e moshuar. Kjo iu jep atyre mundësinë që pas Kimioterapisë të trajtohen edhe me metoda më efikase sikurse është Imunoterapia.

(Kosova Sot Online)