Ambasadori gjerman i bashkohet deklaratës së amerikanëve se nuk e përkrahin askënd në zgjedhje

  • 01 October 2019 - 18:31
Ambasadori gjerman i bashkohet deklaratës së amerikanëve se nuk e përkrahin askënd në zgjedhje

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, e ka përkrahur deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk e përkrahin asnjë parti politike dhe asnjë kandidat për kryeministër.

Në tubimin e PDK’së sot ka marrë pjesë një zyrtar amerikan, i cili është quajtur në disa media si ‘njëri i Trumpit’ që po përkrah Kadri Veselin për kryeministër.

Ambasada amerikane doli me njoftim se Qeveria Amerikane nuk përkrah asnjë parti politike dhe kësaj deklarata i bashkëngjitet edhe misioni diplomatik gjerman në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

“Duket e vështirë për disa që ta kuptojnë që ne qëndrojmë në pozitat tonë dhe e kuptojmë si funksionon demokracia. Faleminderit që e rikujtove atë që tashmë e kemi thënë në një deklaratë të përbashkët një muaj më parë”, ka shkruar Heldt në Twitter.

Ndërkaq në njoftimin e Ambasadës amerikane thuhej që nuk parapëlqejnë askënd që garon në zgjedhje dhe se është në përgjegjësinë e votuesve zgjedhja e fituesit të zgjedhjeve që mbahen me 6 tetor.

“Qeveria e SHBA’së nuk parapëlqen dhe nuk përkrah ndonjë parti politike apo kandidat në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, thuhej në këtë njoftim.


(Kosova Sot Online)