Zbardhen arsyet: Kosovarët në depresion të thellë e të zhgënjyer keq...

  • 02 October 2019 - 07:53
Zbardhen arsyet: Kosovarët në depresion të thellë e të zhgënjyer keq...

“Qytetarët janë lodhur aq shumë sa që për çdo ditë dëgjojmë lajme për të rinjtë me shpresa të thyera që i “mbushin autobusët” dhe ia mësyjnë Perëndimit për një jetë më të mirë. Për më keq se kaq, Kosovës është duke i ikur truri dhe shpirti i saj”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online “.

Teksa po afron fundi i fushatës zgjedhore për zgjedhje e 6 tetorit, analistët politikë po vlerësojnë se bazuar në ofertat që po bëjnë partitë politike, përsëritjen e temave të vjetra, problemeve që ju kanë mbetur pa zgjidhje për dy tre mandate e kaluara dhe të njëjtat po i premtojnë përsëri, qytetarët janë të zhgënjyer përsëri me tërë këtë klasë politike mashtruese e të inkriminuar.

Image
Florim Zeqa

Sipas analistit politik, Florim Zeqa me këtë klasë politike të konsumuar e të pa reformuar, Kosova po zhytet në depresion të thellë, ku qytetarët pothuajse janë dorëzuar në këtë shtet të krimit të organizuar, sepse janë lodhur nga ky sundim i egër i mafio-oligarkisë politike, në të dyja nivelet e qeverisjes dhe nuk po mundë të durojnë më tej.

Zeqa konsideron se kjo është edhe arsyeja shtesë, pse një pjesë e qytetarëve po mobilizohet për ta ndëshkuar me votë këtë klasë politike.

“Por është edhe ana tjetër e errët e së keqes, se çdo ditë po vazhdojmë të dëgjojmë lajme për “mbushje autobusësh” që ia mësyjnë perëndimit, me shpresa të vrara të të rinjve nga pushtetarët e kriminalizuar e të lidhur me mafinë politike e biznesore. Sa më shumë po ofrojnë zgjedhjet, po shtohet mobilizimi i partive që ishin në pushtet për ripushtimin e institucioneve. Në anën tjetër i kemi qytetarët e zhgënjyer që e presin me padurim për ta ndëshkuar këtë klasë politike tërësisht të inkriminuar”, tha Zeqa për Kosova Sot Online.

Sidoqoftë, sipas analistit Zeqa, qytetarët janë lodhur nga ky sundim i egër i mafio-oligarkisë politike, në të dyja nivelet e qeverisjes, dhe nuk po mund të durojnë më tej denigrimin dhe përbuzjen e pushtetarëve, prandaj edhe trendi i largimit jashtë vendit është shqetësues.

“Qytetarët janë lodhur aq shumë sa që për çdo ditë dëgjojmë lajme për të rinjtë me shpresa të thyera që i “mbushin autobusët” dhe ia mësyjnë Perëndimit për një jetë më të mirë. Për më keq se kaq, Kosovës është duke i ikur truri dhe shpirti i saj. Janë shpeshtuar rastet e largimit të mjekëve dhe infermierëve, të largimit të kuadrove më të përgatitura në fushën e ekonomisë, arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit. Si rezultat i kësaj situate, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Kosova rrezikon të zhytet në një krizë të thellë institucionale dhe sociale, shkaku i pakënaqësive të mëdha të qytetareve, ku qytetarët e rënë në depresion të thellë pothuajse janë dorëzuar në këtë shtet të krimit të organizuar”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online“.

Analisti Zeqa niset nga ajo thënia popullore se "çdo e keqe e ka të mirën mbrapa", prandaj vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme, të ardhura jo si produkt i presionit opozitar, por i atij ndërkombëtar, mund të prodhojnë protesta të fuqishme popullore, nëse vazhdon akoma kjo status kuo.

“Arsyet janë të shumta për të protestuar ndaj politikanëve të inkriminuar si në pozite, ashtu edhe në opozitë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë komunal, që na kanë sjellë në këtë gjendje të pashpresë. Politikanët e papërgjegjshëm, qytetarëve ju kthehen vetëm në fushata elektorale sa për t'ua rrëmbyer votën, më pas i kthehen bashkëqeverisjes. Politikanët e inkriminuar, aty ku i ndanë pushteti qendror, i bashkon ai lokal, i bashkojnë bizneset dhe punët e pista në zhvatjen e buxhetit dhe plaçkitjen e qytetarëve, edhe të mërgimtarëve”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, shteti i Kosovës ka degraduar në një shtet mafioz me anarki ligjore, ku shkelet ligji dhe kushtetuta, shtet në të cilin po që se nuk ke lidhje me politikën apo me klanet kriminale, mbijetesa në punë, biznes, e në çdo sektor, është thuajse e pamundur.

“E kur kësaj i shtohet edhe rreziku ndarjes territoriale, e bën akoma më të paqartë ekzistencën e shtetit dhe të ardhmen e qytetarëve në këtë vend. Përderisa është kështu, e vetmja shpresë mbetët tek një mobilizim qytetarë, i ngjashëm me atë të viteve të '90-ta për largimin e tërësishëm të kësaj klase politike. Ndryshe, maskaradat zgjedhore, siç është kjo e 6 tetorit do t'u shërbejnë vetëm politikanëve të inkriminuar, pa prodhuar asnjëherë zgjidhjen që dëshirojnë qytetarët”, tha për fund analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)