Molliqaj për Haki Abazin: Ishte si kafshë e tërbuar, pastaj iku si lepur

  • 02 October 2019 - 08:08
Molliqaj për Haki Abazin: Ishte si kafshë e tërbuar, pastaj iku si lepur

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Dardan Molliqaj, ka treguar për incidentin që ka ndodhur me kandidatin për deputet nga Vetëvendosja Haki Abazi, pas një debati televiziv me tone të ashpra, disa javë më parë.

Ai e ka nisë shpjegimin e tij në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës duke e ndërlidhur me subjektin pjesë e të cilit ishte më parë.

Fjala e plotë e Molliqajt:

“Edhe aty është një pjesë e Dardanit. Më vjen keq prej opinionit publik që në fushatë i është përvjedhë një temë e tillë që s’besoj që i jep kontribut fushatës”.

“Por, ky jam unë. Ne e kemi pasë një rrugëtim të gjatë politik me subjektin që i kam takuar. Kemi pasë shumë vështirësi, suksese, gabime dhe mësime bashkë dhe pata konsideruar që është legjitime ndarja e rrugëtimit politik”.

“Dy njerëz ose grupe nuk mendojnë njëjtë dhe kjo është demokracia, mundësia e ndërrimit të qëndrimeve dhe rrugës që ec përpara”.

“Ajo që e përshkruan më së miri atë që unë e kam thënë për një kohë të gjatë është fjalimi i të sapoaderuarit Agim Bahtiri që thotë se ‘kryetarin e keni dhuratë nga Zoti’. Prej një organizate politike me parime dhe besim në njerëz në kthimin e dhuratës si të dërguar të Zotit të dikujt që është qenie njerëzore”.

“Ky ishte koncepti që ndërtohej aty me të cilin u ndamë. Për gabimin tim dhe të miqve mi që ne në këtë rrugëtimin tonë heshtëm përballë shpifjeve, akuzave dhe rrenave që i bënë ish-kolegët tanë me idenë që kjo çështje do të mbyllet”.

“Duke e parë që kjo çështje nuk do të mbyllet, vendosa që në fushatën ku do të duhej patjetër të vinë dhe të ballafaqohen t’i themi të vërtetat për secilin”.

Por, çka ndodhi vërtet mes Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit?

“E dërguan një person për të cilin nuk kam fare respekt për të. Nuk dua të jem i kujdesshëm dhe korrekt, sepse siç e dinë të gjithë ata që e njohin, ai është një keqpërdorues jashtëzakonisht i madh i fondeve të organizatave të shoqërisë civile”.

“Ai ka qenë një person që në kohën kur ne ishim në burg dhe po arrestoheshim ka punuar kundër Vetëvendosjes. Ka e-maila të shkruar, statuse publike, insistime dhe takime me njerëz të Vetëvendosjes për ta dëmtuar dhe shkatërruar Vetëvendosjen”.

“Unë jam ballafaquar në studio televizive edhe me eksponentë të PDK-së, por asnjëherë nuk jam shmangur sepse kur e them fjalën i qëndroj prapa”.

“Këta të vjetrit në Vetëvendosje dhe të rinjtë që shkuan e prodhuan PDK 2.0 – sepse mos harroni që me fjalë të tilla PDK-ja pas luftës sulmonte të gjithë oponentët politikë – ‘hajna’, ‘tradhtarë’, ‘mashtrues’ dhe të ngjashme”.

“Unë nuk e toleroj këtë dhe do ta bëja të njëjtën prapë. Secili që shpif, ofendon dhe bën atë që bëri Hakiu, sigurisht që do ta marrë përgjigjen time se ‘çfarë ke për të thënë’ në studio dhe jashtë saj”.

“Ai ishte si kafshë e tërbuar ndaj nesh dhe më pas iku si një lepur prej asaj. Ishte rast që ndodhi, por për këtë duhet të mbajnë përgjegjësinë ata që e instaluan këtë mendësi në raport me neve”.

“Përgjigja jonë ndaj tyre do të jetë gjithmonë e vërteta dhe argumenti – edhe në studio dhe pas studiove”.

(Kosova Sot Online)