Schieb: Nuk do të ndryshohet formati i dialogut Kosovë-Serbi, BE-ja dhe Borell do ta ndërmjetësojnë

  • 02 tetor 2019 - 10:35
Schieb: Nuk do të ndryshohet formati i dialogut Kosovë-Serbi, BE-ja dhe Borell do ta ndërmjetësojnë

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se formati i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të mbetet i njëjtë. Ai ka thënë se bisedimet do të ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell.

“Gjermania dhe Franca dëshirojnë që të vazhdojnë mbështetjen për procesin, por formati do të jetë i njëjtë. Dialogu Prishtinë Beograd do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe të përfaqësuesit të ri Borell. Është duke u shqyrtuar nëse do të angazhohet ndonjë Përfaqësues Special që do të jetë përgjegjës për procesin. Ne nuk jemi duke krijuar ndonjë format të ri, por ne duam që të mbështesim dialogun me shpresën që do të ketë ndonjë lëvizje”, ka thënë Schieb për N1.

Teksa ka folur për taksën, Schieb ka thënë se fatkeqësisht një vendim i tillë nuk është pezulluar pavarësisht gjithë përpjekjeve, ndërkohë ka thënë se shpreson që një gjë e tillë të ndodh pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Tutje ambasadori gjerman ka përsëritur edhe një herë faktin se arritja e një marrëveshje Prishtinë-Beograd është një kusht për Serbinë që të integrohet në Bashkimin Evropian.

Schieb ka thënë se Gjermania është e përkushtuar që të zgjidhet problemi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. 

(Kosova Sot Online)