“Skenar mashtrues”, shuplaka e rëndë nga SHBA për Kadri Veselin

  • 03 October 2019 - 07:23
“Skenar mashtrues”, shuplaka e rëndë nga SHBA për Kadri Veselin

“Shfaqja e turpshme e Kadri Veselit, duke e nxjerr në skenë, një amerikan të quajtur Mathew Whitaker, e gjoja si njëri i afërt i presidentit Tramp, e që është nën hetim nga FBI-ja, si përkrahës i tij në garën për kryeministër të vendit, ishte tentim dëshpërues i Veselit i cili edhe një herë u shpërfaq në opinionin kosovar dhe para qytetarëve se ai nuk është asgjë tjetër përpos një mashtrues ordiner, i cili nuk zgjedh mjete për të ardhur në pushtet”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Mathew Whitaker, për të cilin, PDK dhe Kadri Veseli thanë se është njeriu i presidentit amerikan, Donald Trump dhe se e përkrah Veselin në zgjedhjet e 6 tetorit, ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë.

Një demant i menjëhershëm erdhi nga Ambasada Amerikanë në Prishtinë, të cilët e mohuan kategorikisht një gjë të tillë.

E angazhimi në fushatën zgjedhore të PDK-së dhe të kandidatit për kryeministër, Kadri Veselit, të një ish zyrtari amerikan, duke e paraqitur atë rrejshëm si të deleguar nga kabinetit të presidentit Trump, sipas analistit politik, Nexhat Haziri është një turp i madh, pasojat e të cilit do ta rëndojnë shumë PDK-në në këtë finale të fushatës zgjedhore.

Image
Nexhat Haziri

Sipas Hazirit, mashtrimi që u lansua fillimisht në opinion nga mediet që mbështesin Veselin, kinse e Mathew Whitaker është njeri i afërt me presidentin amerikan, Donald Trump, do ta ketë efekte të rënda për PDK-në dhe Veselin.

“Fatura që do ta paguaj tani PDK-ja e ka çmimin e shtrenjtë, humbje të madhe të besimit në elektorat, në momentin më kritik të fushatës sepse tani po del që i njëjti personalitet është i inkriminuar dhe në ndjekje nga autoritetet e drejtësisë në SHBA. Shfaqja e turpshme e Kadri Veselit, duke e nxjerr në skenë, një amerikan të quajtur Mathew Whitaker, e gjoja si njëri i afërt i presidentit Tramp, e që është nën hetim nga FBI-ja, si përkrahës i tij në garën për kryeministër të vendit, ishte tentim dëshpërues i Veselit, i cili edhe një herë u shpërfaq në opinionin kosovar dhe para qytetarëve se ai nuk është asgjë tjetër përpos një mashtrues ordiner, i cili nuk zgjedh mjete për të ardhur në pushtet”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo, sipas Hazirit, reagimi i menjëhershëm i Ambasadës Amerikanë në Prishtinë, nxori edhe njëherë në shesh abuzimet e Veselit.

“Natyrisht se në këtë maskaradë të servuar nga PDK-ja dhe Kadri Veseli, ambasada amerikane nuk mund të rrinte indiferent pasi më këtë veprim të Veselit, e kishte vënë në lojë autoritetin dhe imazhin e një superfuqie botërore siç janë SHBA-të, dhe reagimi i ambasadës amerikane kundër pretendimit të Kadri Veselit se e ka mbështetjen e administratës së presidentit Trump, ishte një shuplakë për PDK-në dhe Kadri Veselin, duke e sqaruar edhe opinionin vendor se këta nuk e kanë mbështetjen e administratës amerikane”, theksoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, indirekt Ambasada Amerikane është pozicionuar me të drejtë kundër një subjekti politik që përfaqëson krimin e organizuar.

“Ambasada amerikane në Prishtinë nuk mund të lejonte që dikush si Kadri Veseli dhe një parti si PDK-ja, që më shumë i ngjanë një sipërmarrje e përbashkët kriminale, ta keqpërdorë autoritetin e SHBA-ve, duke e bërë pjesë të fushatës zgjedhore”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Përtej kësaj, sipas Hazirit, pozitive është që e vërteta e manipulimeve të PDK-së, u vulos edhe nga ndërkombëtarët të cilët këtë ia bënë me dije opinionit të gjerë.

“Opinion kosovar ishte ai i vetmi fitues që doli nga maskarada e servuar nga PDK-ja dhe Kadri Veseli, pasi që demanti amerikan vërtetoi edhe një herë se gjithçka që thotë ky njeri, çfarëdo që bën , është vetëm një mashtrues që mbijetesën politikë ai dhe të gjithë shokët e tij e shohin vetëm duke qëndruar në pushtet që ua mundëson kapjen e çdo segmenti shtetëror, sidomos atë të drejtësisë për ti garantuar vetës një lloj imuniteti në raport me drejtësinë, për veprimet e tyre kriminale gjatë kësaj periudhe 20 vjeçare”, përfundoi Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)