Ndizet alarmi në Kosovë: Ja shifrat marramendëse që po shpenzojnë partitë politike

  • 03 October 2019 - 07:28
Ndizet alarmi në Kosovë: Ja shifrat marramendëse që po shpenzojnë partitë politike

“I kanë pa djersë, i kanë fituar në mënyra të ndryshme korruptive. Nuk kanë emocione për paranë, i fitojnë pa djersë dhe prandaj i harxhojnë pa kontroll. E kanë vetëm një qëllim, të vazhdojnë të grabisin edhe më tutje vetëm e vetëm të rrisin kapitalin dhe të shtojnë ndikimin”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 25 subjekte politike, për të cilat është përcaktuar edhe shifra e lejuar e shpenzimeve për fushatën, shifër kjo që e kap vlerën prej afër 1 milion euro, e që del se të gjitha subjektet së bashku, gjatë 10 ditëve të fushatës do shpenzojnë rreth 25 milionë euro.

Pra sipas ligjit, subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit nuk mundë të shpenzojnë më shumë para se 0.50 cent për votues.

Ndryshe numri i votuesve të regjistruar, dhe listës së certifikuar është 1,937.868, votues.

Mirëpo sipas organizatave jo qeveritare që po e monitorojnë ecurinë e deritanishme të fushatës zgjedhore, është alarmuar për shpenzime enorme të partive politike për fillimin e javës së parë të fushatës, shifër që ka tejkaluar 1 milion euro.

Analistët politikë theksojnë se ky trend i shpenzimit të parasë në këtë fushatë, dëshmon për grumbullimin e madh të fondeve që kanë krijuar partitë politike nga paratë e vjedhur prej popullit, dhe të njëjtat kanë filluar t’i derdhin pa kursim për marketing politik në mediet e tyre dhe kompanitë e marketingut, duke bërë kështu shpëlarje të madhe të parasë së pistë në emër të fushatës zgjedhore, vetëm e vetëm që të plotësojnë boshllëkun e afatit të shkurtër dhjetëditor të fushatës për mashtrimin e qytetarit të zhgënjyer që të jua jep votën.

Analistët konsiderojnë se është skandaloze informata e parë që vjen nga monitorimi i OJQ-ve, sipas të cilit vetëm për tri ditë të pata të fushatës, partitë politike i kanë shpenzuan mbi 1 milion euro, saktësisht sipas DNV-së 1 milion e 64 mijë euro.

Njohësit e kësaj fushe kërkojnë me ngulmë që në të ardhmen të mos lejohet boshllëku ligjor, i cili akoma po iu mundëson partive politike që të manipulojnë me raportet finale financiare, duke mos i raportuar dhe publikuar ato në tërësi dhe duke mos i zbuluar as donatorët të cilët i mbështesin me fondet e tyre, kurse prokuroria duhet të aktivizohet dhe të hetoj hap pas hapi mënyrën e shpenzimit të këtyre donacioneve dhe prejardhjen e tyre.

Image
Hasan Preteni

Sipas ish kreut të AKK-së, Hasan Preteni ky trend i shpenzimit të fondeve, pa asnjë kursim, pa kontroll dhe pa llogaridhënie, po ndodhë ngase janë para të fondeve të dyshimta, të siguruara pa djersë dhe pa rrugë ligjore.

“Prandaj edhe shfrytëzohen maksimalisht, vetëm e vetëm se si të sigurohet një votë më shumë. I kanë pa djersë, i kanë fituar në mënyra të ndryshme korruptive. Nuk kanë emocione për paranë, i fitojnë pa djersë dhe prandaj i harxhojnë pa kontroll. E kanë vetëm një qëllim, të vazhdojnë të grabisin edhe më tutje vetëm e vetëm të rrisin kapitalin dhe të shtojnë ndikimin”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, ligji ekzistues mjafton për të pasur transparencë dhe llogaridhënie, por politika po del mbi ligjin dhe nuk ka institucione të drejtësisë që e parandalojnë në këtë shkelje ligjore.

“Andaj edhe krijohet ky kaos e kjo mundësi e shpërdorimit të parasë së pa dhimbshme. Nuk është problem ligji. Kosova nuk çalon me ligje por çalon me zbatueshmërinë e tyre. E kanë kapur shtetin e kjo nënkupton se e kanë kapur edhe prokurorinë dhe gjyqësinë. I "forti" nuk vetë, ai forcën e ka te forca për të kapur gjithçka çka mundë të kapet. Mediet duhet të bëjnë akoma më shumë që ti publikojnë të gjitha këto raste dhe të ndikojnë në sensibilizimin e përgjithshëm që të reflektohet te vetëdijesim qytetar kundër shpërdoruesve të fondeve me qëllim të mashtrimit për përfitim elektoral dhe ky vetëdijesim të shprehet edhe në ditën e zgjedhjeve, në rezultatin final të mbarimit të ditës së 6 tetorit”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)