Blerim Rexha pas përjashtimit nga ENQA: Turpi qoftë mbi ju

  • 03 October 2019 - 12:07
Blerim Rexha pas përjashtimit nga ENQA: Turpi qoftë mbi ju

Ish-drejtori i Agjencisë së Akreditimit ka reaguar pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Rexha përmes nje postimi në Facebook ka thënë se ky debakël ka qenë i pritur pas ndërhyrjeve që kishte bërë qeveria Haradinaj në këtë Agjenci.

“Ky debakël ka qenë i pritur, pas gjithë atyre ndërhyrjeve politike që ndërmori ish-qeveria për të përfituar edhe më shumë nga arsimi i lartë! Qeveria dhe Ministria e Arsimit korrën atë çka kanë mbjell. Turpi qoftë mbi ta”, ka shkruar Rexha.

Ai përmendi vendimin e vitit 2018 kur AKA u përjashtua nga EQAR, pas kërkesës së kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e bordit të AKA-së.

“Pas përjashtimit Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) në shkurt të vitit 2018, përjashtimi tani në shtator 2019 nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) paraqet konsekuencën fatale të radhës së keq menaxhimit në arsimin e lartë”, ka thënë Rexha. 

Postimi i plotë:

Ky është një lajm i keq për të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe për të gjithë studentët e Kosovës. Pas përjashtimit Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) në shkurt të vitit 2018, përjashtimi tani në shtator 2019 nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) paraqet konsekuencën fatale të radhës së keq menaxhimit në arsimin e lartë! Por, ky debakël ka qenë i pritur, pas gjithë atyre ndërhyrjeve politike që ndërmori ish-qeveria për të përfituar edhe më shumë nga arsimi i lartë! Qeveria dhe Ministria e Arsimit korrën atë çka kanë mbjell. Turpi qoftë mbi ta!

Nëse lexohet me kujdes vendimi i ENQA-së, një nga arsyet kryesore e mos akreditimit, sipas ekipit vlerësues që kanë vizituar AKA dhe institucionet tjera, citohet mungesa e konsensusit të gjerë për cilësinë në arsimin e lartë! Sa mirë që Europa e di që pa arsim cilësor nuk ka progres! Prosperiteti i një vendi varet direkt nga cilësia në arsim. Cilësinë në arsim duhet ta shohim të gjithë njëjtë, të domosdoshme dhe të pakalueshme! Kosova mund të ri-kthehet në ENQA dhe EQAR, jo me herët se dy vite, nëse të gjithë ne u themi qartë fëmijëve tanë se vendet e punës ku kërkohet letra tani më janë zënë, dhe ata i pret vetëm tregu privat i punës, ku kërkohet vetëm dija!

Uroj që në këtë kohë fushate dikush tua përkthej udhëheqësve tanë këto kërkesa të ENQA, që janë për të mirën dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë, se pa arsim cilësor krejt premtimet tjera, edhe sikur të realizohen, nuk kanë kuptim.

(Kosova Sot Online)