Drogë e madhe nga Shqipëria/ Kapen 2.2 ton kanabis, kokainë e heroinë në Turqi

  • 04 October 2019 - 10:54
Drogë e madhe nga Shqipëria/ Kapen 2.2 ton kanabis, kokainë e heroinë në Turqi

Nuk ka të ndalur droga nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera.

Pas aksionit të madh në Greqi ku janë kapur më shumë se 2.5 ton në fund të muajit shtator, këtë herë ka qenë radha e Turqisë që të kapë ngarkesa të tëra me drogë shqiptare.

Mediat turke japin detaje të një operacioni të finalizuar mbrëmjen e së mërkurës, në 2 tetor, ku janë sekuestruar dy mikrobusë të mbushur plot me drogë në total 1.8 ton kanabis të llojit ‘Skunk’ të ardhur nga Shqipëria. 

Agjencia e lajmeve turke DHA dhe televizoni CNN kanë bërë të ditur se janë kapur 2.2 ton drogë të llojeve të ndryshme si kanabis, kokainë dhe heroinë.

Në pranga janë vendosur 14 persona, dy prej të cilëve dyshohet se janë shqiptarë.

Siç shkruan agjencia e lajmeve DHA, droga prej 1.8 tonësh është kapur në Stamboll dhe ishte e ngarkuar në një kamion shqiptar që po transportonte tekstile. Në pranga janë vendosur disa persona.

Gjatë këtij aksioni janë kapur 1.8 ton kanabis në kamion. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 60 kilogramë heroinë dhe 13 kilogramë kokainë, që dyshohet se kishin destinacion Shqipërinë.

Po ashtu televizioni turk CNN bën të ditur se janë kapur 335 kilogramë kanabis sativa në një tjetër kamion që kishte udhëtuar nga Greqia.

Një ditë më parë policia turke sekuestroi një kamion që vinte nga Greqia në pikën doganore Ipsala,  ku u gjet në total 335 kg kanabis sativa.

Droga ishte fshehur në një ndarje sekrete të sajuar nga trafikantet brenda kamionit. Dy persona të tjerë janë vënë në pranga në këtë operacion.

(Kosova Sot Online)