Hidaim Rama: Do t’i mbështes të gjitha nismat legjislative në fushën e inovacionit

  • 04 October 2019 - 12:28
Hidaim Rama: Do t’i mbështes të gjitha nismat legjislative në fushën e inovacionit

Kandidati për deputet nga radhë e Partisë Demokratike të Kosovës, Hidaim Rama ka thënë se do t’i mbështes të gjitha nismat legjislative dhe politikat publike të qeverisë që kanë për qëllim nxitjen dhe shtytjen përpara të aktiviteteve në fushën e inovacionit, të teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikimit.

Postimi i tij i plotë:

Pikënisja çdo kontributi tim politik si deputet i ardhshëm i PDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbështetet në kualifikimet e mia profesionale. Jam i bindur që secili individ dhe njëkohësisht secili politikan, kontributin më të madh që mund ta japë në dobi të qytetarëve e bën duke u nisur nga aftësitë që i ka fituar nëpërmjet edukimit profesional.

Zhvillimi profesional i individit është parakusht që në angazhimet e ndryshme profesionale e politike të mos ketë improvizime të rastit, por që kontributi i secilit të mbështetet në dijen profesionale të fituar nëpërmjet edukimit dhe arsimimit formal.

Në këtë kuptim, nëpërmjet veprimtarisë sime politike do të angazhohem që t’i mbështes të gjitha nismat legjislative dhe politikat publike të qeverisë që kanë për qëllim nxitjen dhe shtytjen përpara të aktiviteteve në fushën e inovacionit, të teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikimit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që sot po jetojmë në një botë digjitale dhe se teknologjia e re ka fituar shtrirje në të gjitha fushat e jetës. Prandaj, çdo qasje inovative që promovohet dhe që mbështetet nëpërmjet politikave publike dhe çdo progres që arrihet në fushën e teknologjisë gjen shtrirje në shumë fusha dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e shoqëror.

Në Programin Qeverisës të PDK-së një vëmendje e theksuar i është kushtuar pikërisht mbështetjes së të gjitha atyre nismave që çojnë në promovimin e teknologjive më të avancuara në të gjitha ato fusha që kanë ndikim të fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës dhe të shërbimeve për qytetarët e vendit tim. Janë pikërisht këto pika programore të PDK-së të cilat do të përpiqem t’i mbështes dhe ta çoj përpara realizimin e tyre, pasi mendoj se ato do të kenë ndikim të drejtpërdrejt jo vetëm në avancimin e zhvillimeve teknologjike në vend, por edhe do të ndikojnë thellësisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit, si dhe në progresin e përgjithshëm ekonomik me shoqëror.

Mbështetja që do ta kem nga ju qytetarë të dashur, do të jetë shtysa kryesore që do ta mundësojnë angazhimin tim për t’i çuar përpara të gjitha ato pika programore e politika publike që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies tuaj.

Ju falënderoj edhe njëherë për mbështetjen tuaj.

Hidaim Rama 103

(Kosova Sot Online)