Publikohen audio-incizimet që e përfshijnë Selim Pacollin në aferat e Rrahim Hashimit

  • 04 October 2019 - 18:15
Publikohen audio-incizimet që e përfshijnë Selim Pacollin në aferat e Rrahim Hashimit

Media ka siguruar audio-incizimet e një afere tjetër, nga shumë të tilla që i ka pasur Rrahim Hashimi,  ortaku i biznesmenit dhe nënkryetarit të Prishtinës, Selim Pacollit. Në këto incizime shpalosen përpjekjet e grupit të Hashimit, në të cilat e përfshijnë edhe Pacollin, për t`i marrë ryshfet një biznesmeni për t`i aprovuar një kredi të madhe në Bankën Ekonomike, në pronësi të Behgjet Pacollit

Personazhi i videove të famshme rreth ryshfeteve për Spitalin privat afër QKUK-së, Rrahim Hashimi shfaqet edhe një herë në një aferë tjetër. Kësaj radhe afera lidhet me aprovimin e një kredie të madhe për një biznesmen në Bankën Ekonomike, ku hisen më të madhe të aksioneve e ka Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Në këtë bankë, pas Behgjet Paollit me 34 % të aksioneve, në radhë vije Selim Pacolli, me 18 % të aksioneve. E biznesmenit të përmendur në këto audio-incizime që i ka siguruar media dhe do t’i publikojë të plota, i premtohet që do t`i miratohet një kredi e madhe nga banka e Pacollëve.

Por, para kësaj ai duhej të paguante para të tjera-ryshfet, dhe këtu hynë në lojë Rrahim Hashimi, ortaku i Selim Pacollit, nënkryetarit të Prishtinës.

Derisa, Rrahim Hashimi po përballet me drejtësinë edhe për afera të tjera, përfshirë edhe rastin për të cilin u arrestua biznesmeni kosovar me famë prej mafiozi ndërkombëtarë, Ismet Osmani-Curri, Selim Pacolli në anën tjetër ka konfirmuar që i ka marrë pyetjet e medias për ta komentuar përfshirjen e tij në këtë aferë. I njëjti, deri tash nuk është përgjigjur.

Afera në të cilën përfshihet Selim Pacolli, përmes Rrahim Hashimit lidhet me një kërkesë për kredi që ishte bërë për biznesmenin Sh. N., pronari i “V. N.”, një kompani që për aktivitet bazë e ka tregtinë me shumicë të kafshëve të gjalla si dhe prodhimin e mishit për nevojat e tregut.

Në një bisedë prej mbi 20 minutash në tavolinë, që është një incizim në një ambient të zhurmshëm, palët flasin për shifra milionëshe të qarkullimeve, derisa aty flitet që edhe kërkesa për kredi në Bankën Ekonomike do të jetë deri në 1 milion euro. 

Por, për tu proceduar kjo kredi, Rrahim Hashimi kërkon direkt nga biznesmeni Sh. N. që të jepen ryshfet 10-20 mijë euro, varësisht prej momenteve kur zhvillohen takimet dhe bisedat. Për këtë aferë janë zhvilluar disa takime, pjesa më e madhe e të cilave janë incizuar.

“Herën e parë ka ardhur Aliu i ka paguar, herën e dytë tha Shaban kur e bën komisionin diçka tha i qeras, e qysh është me i qeras, e lëmë takimin me Selimin (Pacolli). Thirri, tha jam ardhur me Selim Pacollin”, dëgjohet në këto përgjime, që folësit nuk identifikohen qartë.

Në këto përgjime të përfshirët në aferë flasin edhe për takime që vetë nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli ka zhvilluar me biznesmenin Sh.N..

“Selimi tha, Shaban po ta bëjë një takim me Fatosin (Fatos Krasniqi, drejtor në Bankën Ekonomike), edhe Selimi nuk e bëri takimin me Fatosin po ka ardhur me vëllain (nuk tregohet me cilin vëlla) e me Fatosin në Deçan, për hir të asaj që më tha se e kam shok, në sy i ka thënë ‘jam dorzan i Shabanit, prej aty asnjë gjë nuk e bën pa mua’”, zbulohet tutje në audio-inçizim.

Aty bëhet me dije po ashtu se punën e kësaj kredie ky grup, ku përfshihet edhe Selim Paolli, nuk donin ta bisedonin në zyrat e Bankës Ekonomike, por më shumë e kishin lënë që të diskutohej si aferë nëpër restaurane  e kafiteri.

“Selimi i ka thënë Fatos ‘ne jemi ardhur që të bisedojmë për biznes, unë s’kam të bëjë, ty t‘kam bërë drejtor, unë jam pronari i saj”, thuhet tuje në audio-inçizim.

Në takime të tjera, ku kryesisht dëgjohet duke folur ortaku i Selim Pacollit, Rrahim Hashimi, ky i fundit u thotë që kredia prej 1 milion eurosh është gati, pos duhet të jepet ryshfeti.

Por, ankesa e vetme e biznesmenëve, që duket seishin gati të jepnin edhe ryshfet për këtë kredi, ishte mungesa e sigurisë dhe besimit tek ortaku i Selim Pacollit, sekseri Rrahim Hashimi.

“A i kishe dhënë ti 20 mijë euro pa ditur asgjë? A i kishe dhënë?”, ankohet biznesmeni Neziraj te Hashimi, derisa sekseri Rrahim Hashimi i garanton që “O n’Zot po t’bëjë be që është e kryer”.

Për ta bindur edhe më shumë biznesmenin Sh.N., sekseri Rrahim Hashimi në biseda e përmend edhe punën e gjakut. “Ne krye po të bëjë be edhe në tre djemtë, nëse s’del kështu ta kam borxh një gjak”.

Insajderi ka pritur për disa javë që të marrë një koment nga Selim Pacolli për përfshirjen e tij dhe bankës ku ai ka aksione në këtë aferë, si dhe për ta treguar epilogun e kësaj kërkese për kredi, nëse biznesmenit Neziraj iu dha ajo me apo pa ryshfet, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje në asnjërën nga pyetjet.

Në dokumentarin e InDoks, “Mafiozi Shqiptar”, që është një hulumtim për figurën Ismet Osmanit-Currit, është publikuar edhe një profil i Rrahim Hashimit.

Por, kush është në fakt Rrahim Hashimi?

Vetëm në agjencinë e bizneseve ai figuron si aksionar në së paku 9 kompani. Njëra prej tyre është “ILLYRIAN POWER”, ku ai ishte ortak në të me Selim Pacollin.

Në aferën e kredisë për biznesmenin Sh. N., përmendet edhe Nasim Haradinaj. E seskeri Rrahim Hashimi, bashkë me Korab Rexhepi, Ilir Gjelin e kanë të regjistruar një biznes edhe me  Nasim Haradinajn, Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, firmën “West Investigation & Advisory”. Nasim Haradinaj kishte thënë se kjo është një kompani që do të ndërtojë qendra për pleq dhe udhëhiqet nga Shkelzen Mulaj, biznesmen që jeton në Zvicër.

Lidhjet e Rrahim Hashimit janë shumë te thella në shtet. Ai ishte akuzuar kohë më parë bashkë me ish-shefin krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, që aktualisht drejton stacionin e policisë në Ferizaj. Beqiri e Hashimi akuzoheshin në lidhje me aferën e korrupsionit në hetimin e organizatës joqeveritare QAD. Rrahim Hashimi ishte arrestuar nën dyshimin se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në këtë rast penal. Këto vepra ishin hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit.

Rrahim Hashimi në bastoren “Kosova Bet” është ortak edhe me Ajaks Boshnjaku, që ka lidhje miqësie me Ervin Matën, partneri i këngëtares Elvana Gjata. Boshnjaku është në mesin e të dyshuarve në një ngjarjen në ish-Bllok në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe dy të tjerë u plagosën në 4 tetor të vitit 2018.

Rrahim Hashimi u bë i njohur në publik edheme videot ku ai bashkë me Kadri Rexhepin bënin punën e sekerit tek biznesmeni Faton Dalladaku për një licencë që atij i duhej për Spitalin Amerikan që është shumë afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ata në këto video, që i ka publikuar edhe media, flasin në emër të Kadri Veselit e Xhavit Haliti, derisa dy të fundit kanë mohuar çdo lidhje me ta. 

(Kosova Sot Online)