Serwer: Grenell është i afërt politikisht me Boltonin, do të tentojë ta imponojë ndarjen e Kosovës

  • 05 October 2019 - 12:20
Serwer: Grenell është i afërt politikisht me Boltonin, do të tentojë ta imponojë ndarjen e Kosovës

Emisari i sapo emëruar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, do të ketë një rol mbizotërues në negociata duke qenë se është njeri shumë i afërt dhe i besueshëm i presidentit të SHBA’së, Donald Trump. Kështu thotë ish-diplomati amerikan dhe profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer.

Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, Serwer ka thënë se Grenell do të ketë kompetenca shumë më të mëdha sesa Matthew Palmer.

Shumë analistë e shohin Richard Grenellin si të afërt politikisht me John Boltonin, ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Donald Trump, i cili vitin e kaluar kishte deklaruar se SHBA’të nuk do të kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve në rast se për një gjë të tillë bien dakord Prishtina dhe Beogradi.

Disa analistë thonë se Grenell është mbështetës i një ideje të tillë, të cilën e kanë kundërshtuar ashpër Gjermania dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

E Daniel Serwer thotë që emisari për dialogun Kosovë-Serbi. Richard Grenell, nuk do të pranojë argumentet  dhe qëndrimin e Gjermanisë, dhe do të imponojë idenë për shkëmbim të territoreve.

“Unë besoj se ata do të përpiqen t’ia imponojnë atë Gjermanisë, Kosovës dhe Serbisë, dhe atyre që e kundërshtojnë fuqishëm një ide të tillë, e që janë serbët që jetojnë në jug të Ibrit. Është e çuditshme si ata po përpiqen të imponojnë një ide kaq të keqe”, ka thënë Serwer.

Në këtë intervistë Sewer ka përmendur edhe raportet e këqija të Grenell me shtetin gjerman.

“Nëse Shtëpia e Bardhë dëshiron një marrëdhënie më të ngushtë me gjermanët, personi i fundit që ata duhet të zgjedhin për këtë proces është Grenel ”, ka thënë Serwer.

Ai dyshon se Grenel dhe Matthew Palmer do të jenë në gjendje të punojnë njëkohësisht në ndërmjetësimin midis Beogradit dhe Prishtinës.

(Kosova Sot Online)