Vjen denoncimi i rëndë: Ky është turpi i radhës për Kosovën

  • 05 October 2019 - 13:33
Vjen denoncimi i rëndë: Ky është turpi i radhës për Kosovën

“Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, është turpi i radhës i kësaj nomenklature politike që përveç turpit të brendshëm, vjedhjes e plaçkitjes, prandaj edhe tani as në arenën ndërkombëtare nuk po na lënë vend. Ky është kulmi i turpit”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, ish kreu i AKK-së, Hasan Preteni ka reaguar ashpër pas marrjes së lajmit, për përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Image
Hasan Preteni

Preteni, duke e akuzuar për përgjegjësi qeverinë e tanishme në detyrë, tha se duhet të kenë turp partnerët e koalicionit PAN, që tani po e kërkojnë prapë për të qeverisur, kurse Kosova për pasoja të qeverisjes së tyre, po përjashtohet nga organizata të ndryshme ndërkombëtare e rajonale.

“Nuk na pranuan as në Interpol, nuk na pranuan as n UNESCO, nuk kemi liberalizim të vizave. Për shkak të mos qeverisjes së mirë të shtetit edhe shumë shtete po na i kthejnë mbrapsht njohjet, po i tërheqin ato. Nuk ka asnjë pranim të ri të pavarësisë së Kosovës nga ndonjë shtet i ri. Me këtë kastë politike që e keq qeverisi vendin, të gjitha institucionet më kredibile në vend po e humbin pavarësinë”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kjo politikë e inkriminuar i ka vënë dorën e shkatërrimit edhe sistemit arsimor, prandaj vijnë ndëshkimet, sikur është ky i fundit, përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

“Nuk u pranuan shumë programe universitare dhe ju prish biznesi disa politikanëve. I sulmuan dhe ofenduan e tani, shih rezultatin. Marrja brina s’ka. Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë është turpi i radhës i kësaj nomenklature politike që përveç turpit të brendshëm, vjedhjes e plaçkitjes, prandaj edhe tani as në arenën ndërkombëtare nuk po na lënë vend. Ky është kulmi i turpit. E keqja është se këta akoma nuk po ndalen. Nuk po ndalen me kaq, po duan të vazhdojnë me të vjetrën”, shtoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se testi për tu kthyer Kosova në rrugën e drejtë, të ndërtimit dhe riparimit të dëmeve që politika e pa përgjegjshme ia ka shkaktuar deri më tani, është në pritje të qeverisë së re.

“Tani është momenti, duhet ti thuhet stop degradimit të mëtutjeshëm. Ishte Agjencia-mekanizmi i vetëm i pavarur që në këtë dyvjeçar mori një vendim profesional e të pa varur dhe të nesërmen filluan etiketimet, i sulmuan që nga Kryeministri e të gjithë radhazi. Tash ky është rezultati”, deklaroi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është një fat për Kosovën që nuk ka edhe aq shumë institucione të tjera që do të vlerësoheshin nga mekanizmat ndërkombëtar, sikur është rasti i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës , sepse institucionet e Kosovës do të izoloheshin tërësisht nga mekanizmat ndërkombëtar dhe shteti do të zhbëhej.

“Fatbardhësisht që institucionet tjera të vendit nuk vlerësohen kështu nga mekanizmat ndërkombëtar sepse që të gjithë do të na përjashtonin, duke filluar nga përjashtimi i Kuvendit e deri te mekanizmi më i thjeshtë i i fundit! Do të pësonim debakël në të gjitha fushat. Në fakt do të mbeteshim vetëm në organizatat ndërkombëtare të xhudos dhe futbollit”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)