Alarmon profesori i njohur: Drejtësia kosovare nën kontrollin e...

  • 05 October 2019 - 17:53
Alarmon profesori i njohur: Drejtësia kosovare nën kontrollin e...

“Për të qenë e keqja edhe me bizare, pushtetarët veçanërisht ata të pasuruar në rrethana nebuloze, kanë kapacitete funksionale e financiare për të influencuar në trajtime selektive të rasteve juridike civile, ekonomike e penale, gjithnjë sipas shijeve të tyre! Ndaj shumë e shumë afera kriminale të identifikuara në këtë apo atë mënyrë deri tani nuk janë trajtuar seriozisht, madje ka raste edhe të parashkrimeve të qëllimshme të tyre”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Ekspertët e fushës së të drejtës dhe njohës të afërt të sistemit të drejtësisë, bazat e të cilit u vendosën në realitetin e ri shoqëror e politik të pas luftës në Kosovë, vlerësojnë se kjo shtyllë e shtetit të Kosovës akoma po lëngon rëndë nga mungesa e efikasitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së veprimit nga ndikimet e grupeve të interesit, të lidhura ma mafio politikën dhe mafio-oligarkët që e kanë futur tërësisht nën kontroll këtë sistem.

Image
Riza Smaka

Profesori i së drejtës, Riza Smaka thotë se nuk mundë të flitet për një sistem të sundimit të ligjit me gjyqtar e prokuror të shitur e të interferuar, që para se të veprojnë iu raportojnë bosëve të partive e njerëzve të inkriminuar të mafio-oligarkisë.

“Prandaj për këtë pasojë të kapjes së këtij sistemi në vazhdimësi, mbesin të pa prekshme edhe krimet e 20 viteve të pas luftës dhe të mbi 11 viteve të pas pavarësisë, nga pushtetarët e fuqishëm dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, ku bëhet fjalë për qindra miliona euro përmes monopoleve, MVNO-s Z-mobile, e shumë krimeve të tjera ekonomike dhe politike, nuk ka shans që të trajtohen e as hetohet nga kjo strukturë e prokurorisë dhe gjyqësorit e lidhur me krimin e organizuar. për ta manipuluar këtë sistem të tanishëm të drejtësisë”.

Profesor Smaka thotë se jo rastësisht janë lënë shumë zbraztësi ligjore dhe kundërshtime në mes ligjeve të caktuara, kështu që hapësira e abuzimit mbetet e pakufishme.

"Mjerisht vendi ynë në vend të shtetit të së drejtës është shtet juridik madje tejet problematik. Kemi Kushtetutë e akte ligjore e nënligjore, por një numër i tyre nuk janë të nivelit mesatar, sipas kritereve e normave onomoteknike! Jo pak akte ligjore e të mos flitet për akte nënligjore, janë të mangëta përmbajtësish, që nuk korrespondojnë fare as me terminologjinë juridike standarde, dhe janë të sanksionuara vetëm pjesërisht”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Madje, sipas profesorit Smaka, një numër aktesh ligjore nënligjore janë vetëm sa për statistika, sepse mbeten tërësisht të pa aplikueshme nga mungesa e harmonizimit të tyre me legjislacionin bazik.

“Shume dispozita ligjore nuk janë të sanksionuara dot ashtu që ato më shumë përkojnë me normat morale se sa me normat juridike. Nuk janë raste të rralla kur pos kolizioneve ligjore ndërmjet dy apo edhe më shume akteve ligjore, kontraste përmbajtjesore, ekzistojnë edhe përbrenda të të njëjtit akt ligjor! Së andejmi, aktet ligjore të tilla gjatë aplikimit, edhe kur ekziston vullneti i mirë, është vështirë të jetësohen drejtësisht e plotësisht”, theksoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Një defekt serioz që po e përcjellë drejtësinë kosovare, sipas profesorit të njohur, është edhe kuadri profesional që përgatitet në fakultetet tona për profilin e drejtësisë.

“Në anën tjetër nga fakultetet juridike të shumta siç janë në vendin tonë, e në raste jo të pakta edhe aspak kompetente, po diplomohen juristë të pa profilizuar e të pa trajnuar sa e sikur që kërkohet në teori e në praktikë. Ndaj pa fajin e tyre por të qeverive tona varg e vi të tillët e të tillat nuk mund të jenë as efikas e as efecient në punën e tyre”, theksoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Të gjitha këtyre mangësive e defekteve, kulmi i dështimit të këtij sistemi, sipas Smakës arrin me ndikimin dhe kapjen e ashpër nga politika e inkriminuar për këto 20 vite të pas luftës nga njerëz të pasuruar nga krimi i organizuar.

“Për të qenë e keqja edhe me bizare, pushtetarët veçanërisht ata të pasuruar në rrethana nebuloze, kanë kapacitete funksionale e financiare për të influencuar në trajtime selektive të rasteve juridike civile, ekonomike e penale, gjithnjë sipas shijeve të tyre! Ndaj shumë e shumë afera kriminale të identifikuara në këtë apo atë mënyrë deri tani nuk janë trajtuar seriozisht, madje ka raste edhe të parashkrimeve të qëllimshme të tyre”, përfundoi profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)