Votojnë kandidatët për Kryeminsitër, u bëjnë thirrje qytetarëve të votojnë

  • 06 October 2019 - 11:18
Votojnë kandidatët për Kryeminsitër, u bëjnë thirrje qytetarëve të votojnë

Kandidatët për Kryeministër të Republikës së Kosovës që kanë votuar deri më tani janë Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Kadri Veseli, Vjosa Osmani dhe Fatmir Limaj.

Haradinaj i shoqëruar me bashkëshorten e tij, Anitën ka votuar në ora 10:00 në Shkollën e mesme “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Ai u ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët të dalin të votojnë pa marrë parasysh bindjet politike.

“I lus të gjithë qytetarët e vendit pa marrë parasysh bindjet politike që të dalin në zgjedhje, vetëm me votë vendosim vetë”, ka thënë Haradinaj

Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka votuar në objektin e Fakultetit Juridik në Universitetin “Hasan Prishtina” i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza e tij.

Më pas u është drejtuar gazetarëve, duke thënë se sot është një ditë e veçantë, pasi, sipas tij, sovrani do t’ua japë përgjigjet të gjithë politikanëve e partive politike.

“Sot është një ditë fort e veçantë. Të gjitha partive e politikanëve u përgjigjet populli si burim i sovranitetit”, ka thënë Kurti.

Kandidati i PDK’së për kryeministër, Kadri Veseli, para pak çastesh ka votuar në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Ai së bashku me bashkëshorten e tij pasi ka përfunduar procedurën e votimit i përcjellur nga bashkëshortja e tij, Veseli ka folur shkurtimisht para mediave.

Ai ka thënë se sot është një ditë e jashtëzakonshme për Kosovën, pasi që do t’i hapen perspektiva shtetit, qytetarëve e të rinjve.

“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, përhajr na qoftë të gjithëve”, ka thënë Veseli.

Kandidatja për Kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës e shoqëruar me bashkëshortin e saj ka votuar në objektin e Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Osmani ka votuar teksa është shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu. Ai vetëm e ka shoqëruar Osmanin, pasi që siç ka bërë të ditur në Facebook, ai ka votuar para një ore.

Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj dite historike. Besojë shumë që nëpërmjet një procesi fer të lirë dhe demokratik Kosova sot, do të ketë arsye për të festuar. Urojë që gjithçka të shkojë pa asnjë presion “, ka deklaruar Vjosa Osmani para gazetarëve.

Kandidati për Kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Limaj ka votuar i vetëm, dhe pas hedhjes së votës është prononcuar para gazetarëve.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët të votojnë sipas bindjeve të tyre

“Sot shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme për të votuar,Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga çdo qytetar, që të votojnë sipas bindjeve të tyre”, ka thënë Limaj.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë njoftuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën e paraparë, me përjashtim të disa qendrave të vogla që ka pasur vonesa të vogla.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë thirrje për kujdes nga të gjitha palët për mbarëvajtje të procesit.

“I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike dhe komisionerët që të kenë kujdes, pasi procesi që nga ky moment është në duart e tyre, ta kemi parasysh se çdo gjë që ndodh gjatë ditës do t’i faturohet Kosovës”, tha Daka.

(Kosova Sot Online)