Abelard Tahiri nga PDK: Qytetarët të dalin të votojnë për të ardhmen e sigurt të Kosovës

  • 06 October 2019 - 14:44
Abelard Tahiri nga PDK: Qytetarët të dalin të votojnë për të ardhmen e sigurt të Kosovës

Zyrtari i lartë i PDK-së, Abelard Tahiri, ka paraqitur para mediave të gjeturat e deritashme në procesin zgjedhor ndërsa ka ftuar qytetarët të dalin në zgjedhje për ta vendosur fatin e sigurt të vendit në katër vitet e ardhshme.

“Është inkurajuese që procesi zgjedhor ka filluar për së mbari dhe mijëra qytetarë janë duke e kryer detyrën e tyre qytetare. Dalja deri më tani është relativisht e kënaqshme, gjë që dëshmon se qytetarët i janë përgjigjur ftesës për të votuar për të ardhmen e tyre dhe të Kosovës. Shfrytëzoj edhe këtë rast, që në emër të PDK-së edhe ata qytetarë që ende nuk kanë votuar, të dalin dhe të vendosin për fatin e tyre në katër vitet e ardhshme”, tha Tahiri.

Ai po ashtu ka paraqitur para mediave denoncimet e deritashme nga përpjekjet e partive për të blerë vota dhe dëmtuar procesin zgjedhor.

“Përkundër nisjes së mbarë të procesit të sotëm zgjedhor, shqetësuese mbeten përpjekjet e militantëve partiakë për ta deformuar vullnetin e qytetarëve, duke dëmtuar procesin zgjedhor. Shtabet tona lokale i kanë raportuar disa prej këtyre parregullsive.
Në Prizren kemi denoncuar blerjen e votave nga militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky rast është raportuar edhe në polici dhe ka ndodhur rreth orës 10:00 në Qendrën e Votimit 2003a, në ambientet e shkollës “Abdyl Frashëri”, ku është zënë në flagrancë një aktivist i Vetëvendosjes. Ky person është shoqëruar edhe në stacionin policor”, tha Tahiri.

Po ashtu, siç tha Tahiri, raste të tilla ka pasur edhe në shkollën “Migjeni” në Mitrovicë, ku një aktivist i Vetëvendosjes ka qëndruar në afërsi të vendvotimit, duke ndikuar tek qytetarët dhe duke i joshur ata për shitje të votës.

“Ndërsa, besoj e keni parë të gjithë, sepse ishte përmes mediave, sesi është filmuar Kryetari i Vetëvendosjes në Pozharan të Vitisë, duke blerë vota. Këto janë shkelje të rënda. Dhe, gjithashtu, përveç Vetëvendosjes, në Zhabar të Mitrovicës, janë parë edhe zyrtarë të LDK -së duke bërë presion tek qytetarët dhe duke u përpjekur të deformojnë vullnetin e tyre. Me këtë rast u bëjmë thirrje të gjithë komisionerëve tanë që të mos bien pre e provokimeve dhe ta ruajnë qetësinë, duke mbledhur fakte për ta raportuar çdo shkelje ligjore që bëhet, në mënyrë që të garantohet zbatimi i plotë i ligjit.

Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe vëzhguesve të huaj dhe vendorë që të tregohen më të vëmendshëm në identifikimin dhe evidentimin e çdo parregullsie. Për fund, i ftojmë të gjithë qytetarët që ende nuk kanë votuar, që pavarësisht përpjekjeve për t’i dekurajuar, të dalin dhe të votojnë dhe të mos dorëzohen përballë presioneve”, tha Tahiri.

(Kosova Sot Online)