DnV raporton rreth procesit zgjedhor, ka evidentuar 83 raste të fotografimit të votës

  • 06 October 2019 - 15:41
DnV raporton rreth procesit zgjedhor, ka evidentuar 83 raste të fotografimit të votës

Procesi i votimit në të gjithë vendin po vazhdon të vëzhgohet nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”. Deri tash, kutive të votimit u janë drejtuar mbi 550 mijë qytetarë nga i gjithë vendi.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, DnV ka bërë të ditur se deri në ora 13:00 janë hasur 83 raste të fotografimit të votës në 53 vendvotime.

Poashtu, DnV ka bërë me dije se deri në këtë orë është raportuar për 31 raste që votuesit e kanë bërë publikimin e vendvotimeve.

Ndryshe, sipas statistikave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 550 mijë qytetarë nga i gjithë vendi. Këtë proces zgjedhor janë duke e vëzhguar rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Në gjithë Kosovën janë hapur 895 qendra votimi me rreth 2000 vendvotime, derisa numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 937 mijë e 868.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të kujdesen  Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. E këto subjekte politike janë shqiptare, serbe, boshnjake, turke gorane, ashkalinje, rome dhe egjiptiane.

(Kosova Sot Online)