Garuan bashkë, Lluka i AKR’së e godet NISMËN përmend favoret personale dhe nepotizmin

  • 07 October 2019 - 17:16
Garuan bashkë, Lluka i AKR’së e godet NISMËN përmend favoret personale dhe nepotizmin

Ish- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, njëherit kandidati për deputetë nga koaliconi NISMA-AKR-PD, Valdrin Lluka i ka përgëzuar Vetëvendosjen dhe LDK’në për rezultatin në zgjedhjet e djeshme, derisa ka goditur Nismën Socialdemokrate për rezultatin e tyre të keq në zgjedhje.

Përmes një postimi në Facebook, Lluka ka thënë se dje u dëshmua që nepotizmi dhe favoret në politikë janë shkurtpamëse dhe nuk japin rezultate në zgjedhje, duke aluduar kështu për Nismën Socialdemokrate, parti kjo me të cilën AKR’ja hyri në koalicion parazgjedhor.

“I falenderoj ata mijëra votues që më besuan votën anëmbanë Kosovës. Do t’ju mbaj të informuar lidhur me proceset dhe rezultatet finale. Për një gjë jam i lumtur. U dëshmua që nepotizmi dhe favoret në politikë janë shkurtpamëse dhe nuk japin rezultate në zgjedhje. Rruga e sigurtë drejtë suksesit është meritokracia dhe transparenca”, ka shkruar Lluka.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve, koalicioni NISMA-AKR-PD ka marrë vetëm 38 mijë e 483 vota apo 4.89%, që i bie se nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.

Sipas KQZ’së, partia e parë në këto zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

(Kosova Sot Online)