Një mësim nga Kosova, Shqipëria – histori dështimi me zgjedhjet

  • 08 October 2019 - 08:02
Një mësim nga Kosova, Shqipëria – histori dështimi me zgjedhjet

Zgjedhjet në Kosovë dëshmuan si një histori suksesi.

Të dielën në mbrëmje dëgjuam në gjuhën shqipe një proces politik që e kemi parë vetëm në perëndim apo edhe vendet fqinje, kur rezultati i zgjedhjeve del pa rënë mesnata dhe humbësi uron fituesin për zgjedhjet. Por kjo nuk ndodh në Shqipëri, të paktën që nga zgjedhjet e majit të vitit 1996 proceset e votimit në vend që të zgjidhnin krizën e kanë thelluar atë.

Zgjedhjet e asaj kohe u bënë të dhunshme, vota u vodh masivisht dhe opozita socialiste e asaj kohe bojkotoi. Socialistët akuzuan ish Presidentin Berisha, ndërsa kriza që u krijua bashkë më rënien e piramidave kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vitin 1997, këtë herë ishin demokratët në opozitë që nuk njohën procesin duke e cilësuar Kuvendin si parlamenti i kallashnikovëve. Foshnjëria politike vijoi me zgjedhjet lokale te vitit 2000 të cilat u anatemuan nga opozita e djathtë e drejtuar nga Berisha.

Një vit më vonë zgjedhjet e përgjithshme sërish me probleme, përveç akuzave të zakonshme për përdorimin e shtetit për të fituar vota, apo përdorimin e të fortëve, ishte radha e socialistëve në pushtet të sajonin lojën me votat e zonës elektorale numër 60 në Dushk të Lushnjes, morën plot 13 deputetë, një nga votimi mazhoritar dhe 12 të tjerë nga propocionali duke shpërndarë votat për partitë e vogla që pakuan pragun. PD sërish nuk i njohu ato zgjedhje dhe Kuvendi morri një emër të ri, Parlamenti i Dushkut.

Në vitin 2005, Fatos Nano u largua paqësisht pas humbjes, por historia e zgjedhjeve ku votat mezi numërohen dhe rezultatet kundërshtohen, vijon. Në vitin 2009, socialistët dolën forcë e parë në zgjedhje, por PD me aleatët morri më shumë vota duke krijuar qeverinë. Akuzat për vjedhje votash vijuan dhe socialistët nisën fushatën, Hap kutitë ose largohu.

Por kutitë u hapën në zgjedhjet e 2011, jo për ta zgjidhur krizën por për ta thelluar. Numërimi u zvarrit aq sa edhe diplomatët përveshën mëngët. Fitoren e ngushtë të Ramës me 10 vota, demokratët në pushtet e gjetën rrugën për ta rrëzuar në tavolinë.

Socialistët nuk e njohën rezultatin dhe u përleshën para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dy vite më vonë në zgjedhjet lokale, opozita do akuzonte socialistët se në bashkëpunim me krimin vodhën votat.

Ecejaket e ndërkombëtarëve për reformën e duhur zgjedhore nuk patën rezultat sepse gjithmonë politika e gjente mënyrën se si të vidhte, blinte apo vështirësonte procesin. Numërimi i votave në Shqipëri është një proces i mundimshëm dhe komisionerët përdoren nga partitë për ta bllokuar procesin. Në 2017 marrëveshja politike Rama-Basha e shpejtoi procesin, por pas një viti Basha nuk i njohu më zgjedhjet.

Zgjedhjet e 2019 u mohuan ende pa nisur. Opozita PD-LSI i braktisi ato duke ia lënë të gjitha pushtetet socialistëve e duke dalë në rrugë.

Historia vazhdon. Në Shqipëri asnjë palë zgjedhje nuk janë bërë korrekte, dhe që të gjitha humbësi nuk e ka njohur rezultatin. Gara e ethshme për pushtet ka shkatërruar institucionin e votës së lirë dhe votimet nga një shans për të zgjidhur krizat, kthehen në prodhuesen më të mëdha të krizave politike në Shqipëri e gjitha kjo për faj të politikanëve të cilët me homologët e tyre në Prishtinë sillet si profesorë. Por zgjedhjet shembullore në Kosovë treguan se profesorët e Tiranës janë thjeshtë nxënësit e këqij të kombit.

(Kosova Sot Online)