Misioni i BE’së: Lista Srpska ndërhyri tek votuesit gjatë ditës së zgjedhjeve

  • 08 October 2019 - 10:58
Misioni i BE’së: Lista Srpska ndërhyri tek votuesit gjatë ditës së zgjedhjeve

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve ka mbajtur një konferencë për media ku është diskutuar për organizimin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Misioni i BE-së ka deklaruar se procesi zgjedhor ka qenë i qetë, me incidente të izoluara.

Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve Viola Von Cramon, ka thënë se kuota gjinore prej 30% është respektuar nga subjektet politike.

“Kuota prej 30% për kandidatët dhe partitë sa i përket barazisë gjinore është respektuar”, ka thënë Shefja e Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Ajo tutje është shprehur se vetëm dokumentet valide të institucioneve të Kosovës janë përdorur në vendvotime dhe dokumente tjera nuk janë pranuar.

“Ne nuk kemi hasur në dokumente të Serbisë që janë përdorur në komunat me shumicë serbe përfshirë veriun e Kosovës, dokumentet që nuk kanë qenë të Kosovës nuk janë përdorur”, ka thënë Von Cramon.

Ajo ka thënë se ky mision ka hasur në parregullsi sa i përket ndërhyrjes ndaj kandidatëve të opozitës serbe të Kosovës prej Listës Serbe dhe në disa pjesë të Kosovës është tentuar që të imponohet vota për Listën Serbe.

“Në disa pjesë të Kosovës zgjedhjet nuk kanë qenë në standardin ndërkombëtar e kërkuar, kemi hasur në ndërhyrje ndaj votuesve kur ka ardhur puna tek vota për subjektin politik Lista Serbe”, ka thënë ajo.

Sipas këtij Misioni, ka qenë problematik çështja e votuesve me aftësi të kufizuara dhe prania e vogël e grave si kryesuese të qendrave të votimit.

Misioni i BE-së janë shprehur se Qeveria e re dhe Kuvendi i ri i Kosovës duhet të punojë në sundimin e ligjit dhe të vazhdojë rrugën për integrim evropian të Kosovës.

“Pas këtyre zgjedhjeve, ne shpresojmë që qeveria e re të punojë në sundimin e ligjit dhe të jetë qeveri që e qon mandatin deri në fund dhe të vazhdojë rrugën në integrimet evropiane. Ne presim nga Kuvendi i ri që të jetë transparent në bërjen e ligjeve”, është thënë në konferencën e Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.

(Kosova Sot Online)