Misioni i BE-së: Zgjedhjet kanë qenë të administruara mirë dhe transparente

  • 08 October 2019 - 12:16
Misioni i BE-së: Zgjedhjet kanë qenë të administruara mirë dhe transparente

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian ka lëshuar një deklaratë preliminare ne lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare.

Në këtë deklaratë thuhet zgjedhjet e organizuara kanë qenë të administruara mirë dhe transparente të prekura nga fushë-loja e pabarabartë dhe të cenuara nga frikësimi dhe mungesa e konkurrencës në trevat e banuara me serbë të Kosovës.

Deklarata preliminare e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian:

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin të administruara mirë dhe transparente. Dita e zgjedhjeve ishte e rregullt, dhe vëzhguesit e EU EOM e vlerësuan pozitivisht votimin dhe numërimin. Fushata ishte e gjallë dhe konkurruese duke i lejuar garuesve të bëjnë fushatë lirshëm në pjesën më të madhe të Kosovës.

Mirëpo, ambienti i fushatës në trevat e banuara me serbë të Kosovës u cenua nga frikësimi, duke vënë në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Srpska Lista. Keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës rreth financimit të fushatës rezultuan në një fushë-loje të pabarabartë në të gjithë Kosovën. Përsëritja e problemeve sistemike në procesin zgjedhor të identifikuara edhe nga misionet e mëparshme të vëzhgimit që duhet të adresohen urgjentisht si prioritet pas formimit të qeverisë së re, në mënyrë që ta sjellin Kosovën në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Dita e zgjedhjeve ishte e rregullt dhe e qetë, dhe vëzhguesit e EU EOM nuk raportuan ndonjë incident madhor. Vlerësimi i përgjithshëm i procesit të hapjes, votimit dhe numërimit ishte pozitiv. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) siguroi transparencën e procesit duke publikuar menjëherë në internet rezultatet preliminare jozyrtare për subjektet politike të zbërthyera sipas vendvotimeve.

Korniza ligjore që rregullon këto zgjedhje mbetet i njëjtë si në zgjedhjet e fundit në 2017 meqë nuk është bërë asnjë reformë. Vazhdojnë të shfaqen mangësitë tashmë të identifikuara, siç është thirrja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një afati të shkurtër kohor, periudha e parregulluar parazgjedhore, mungesa e transparencës dhe mbikëqyrjes së financimit të fushatave dhe aspektet kyçe të procesit që rregullohen vetëm me legjislacionin sekondar.

KQZ funksionoi në mënyrë transparente dhe përkundër afatit të shkurtër, të gjitha përgatitjet zgjedhore përfunduan me kohë. Mekanizmi ekzistues i emërimeve për të tre nivelet e organeve të menaxhimit të zgjedhjeve ofroi përfshirje domethënëse të subjekteve politike përkatëse, duke përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë.

Procesi i regjistrimit ishte gjithëpërfshirës dhe që të gjitha 25 subjektet politike që aplikuan për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare u certifikuan nga KQZ. Gjithsej ishin 1,067 kandidatë, duke përfshirë 343 gra. Nuk pati kufizime të paarsyeshme për certifikimin e subjekteve politike ose certifikimin e pranueshmërisë së kandidatëve. • Liria e fushatës u respektua në një fushatë të gjallë dhe konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës. Një varg tubimesh intensive u mbajtën nga të gjitha subjektet kryesore politike shqiptare të Kosovës gjatë periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore. Sidoqoftë, liria e zgjedhjes së votuesve u dëmtua nga rastet e abuzimit të fondeve publike dhe pozitave të ndikimit nga autoritetet qendrore dhe lokale. • Në komunitetin serb të Kosovës, partitë që synuan të garojnë me Srpska Lista nuk ishin në gjendje të zhvillojnë fushata efektive për shkak të frikësimit të kandidatëve, familjeve të tyre dhe votuesve në përgjithësi.

Komunat e kontrolluara nga Srpska Lista, si dhe qeveria e Serbisë, i drejtuan serbët e Kosovës të votojnë vetëm për Srpska Lista, ndërsa kundërshtarët e tyre u denoncuan si anti-serbë. Kjo kufizoi ushtrimin e të drejtave themelore demokratike për lirinë e shprehjes, tubimit dhe përfaqësimit, dhe për rrjedhojë, procesi zgjedhor për serbët e Kosovës nuk i përmbushi këto standarde ndërkombëtare.

Korniza rregullative nuk siguron transparencë dhe integritet të financimit të partive dhe fushatave. Në bazë të një interpretimi të gabuar të ligjit, shumë parti deklaruan se kishin planifikuar t’i raportojnë shpenzimet e tyre vetëm për dhjetë ditët e fushatës zyrtare, gjë që e kufizoi edhe më tej transparencën. Disa bashkëbisedues të EU EOM raportuan se partitë në pushtet i kompensojnë donatorët e tyre të mëdhenj me kontrata të prokurimit publik. Mbikëqyrja nuk përfshin identifikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të paraportuara dhe nuk siguron llogaridhënie.

Liria e mediave u respektua. Mediat audio-vizive i mundësuan votuesve qasje në pikëpamje të larmishme politike me mbulim të ekuilibruar në përgjithësi dhe duke organizuar debate gjithëpërfshirëse zgjedhore. Disa kanale televizive shkelën rregulloren për përmbajtjen me pagesë, duke përfshirë shfaqjen e reklamave politike gjatë debateve të tyre zgjedhore dhe politike. Komisioni i Pavarur i Mediave përgjithësisht dështoi të sanksionojë dhe të korrigjojë shkeljet e mediave audio-vizive gjatë fushatës. Mediat online, duke përfshirë uebsajtin e lajmeve të transmetuesit publik, shpesh shfaqën mbulim të njëanshëm.

Facebook, rrjeti social më i popullarizuar në Kosovë, u përdor gjerësisht nga mediat tradicionale për të përçuar përmbajtjen e tyre editoriale, duke kontribuuar në mundësinë e votuesve për të bërë zgjedhje të informuar. Garuesit gjithashtu e shfrytëzuan këtë platformë për të arritur deri te votuesit, duke përfshirë përdorimin e një sasie të konsiderueshme të reklamave. U shënuan raste të faqeve me origjinë të panjohur në Facebook që u shfytëzuan për fushata njollosjeje. Sidoqoftë, Facebook ende nuk ka futur në përdorim politika për të siguruar plotësisht transparencën e reklamave politike dhe zgjedhore në Kosovë.

Ligji parashikon kuotë gjinore prej 30 për qind për listat e kandidatëve, gjë që u aplikua me përpikëri nga partitë. Megjithatë, partitë politike kanë adoptuar masa të pamjaftueshme afirmative për të arritur përfaqësim të barabartë gjinor brenda partive politike, veçanërisht në nivelet lokale. Barazia gjinore ende nuk është integruar mjaftueshëm brenda ligjeve dhe politikave përkatëse.

Saktësia dhe besueshmëria e listës së votuesve është problem i kahmotshëm. Lista përfundimtare e votuesve prej 1,937,868 votuesve ka më shumë votues të regjistruar sesa popullsia e vlerësuar rezidente për shkak të numrit të madh të diasporës dhe votuesve të vdekur në listën e votuesve.

Më 9 shtator, KQZ adoptoi udhëzimin administrativ që thotë se vetëm dokumentet e identifikimit të lëshuara nga Kosova mund të përdoren për votim. Ky vendim u kundërshtua dhe u ankimua pa sukses nga Srpska Lista. Udhëzimi u nxor 26 ditë para ditës së zgjedhjeve, duke siguruar kështu kohë të arsyeshme për ata që nuk kishin dokument të vlefshëm identifikimi që të pajisen me një të tillë. Vëzhguesve të EU EOM nuk iu dhanë prova materiale se njerëzit nuk ishin në gjendje të marrin dokument të ri identifikimi.

(Kosova Sot Online)