Pas zgjedhjeve, Mogherini e Hahn dalin me porosi për partitë kosovare

  • 08 October 2019 - 15:08
Pas zgjedhjeve, Mogherini e Hahn dalin me porosi për partitë kosovare

Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, teksa kanë folur për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë kanë thënë se procesi ka qenë i qetë dhe i rregullt.

Ata kanë thënë se presin formim sa më të shpejtë të qeverisë së re. Sipas tyre, kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të vazhdojë të punojë në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social, në sundimin e ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. 

“Presim që të gjithë akterët politikë të mbeten të përkushtuar ndaj këtyre proceseve që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, për përparim në rrugën evropiane dhe, më e rëndësishmja, për përfitimin e qytetarëve të Kosovës dhe të të gjithë rajonit”, thanë Federica Mogherini dhe Johannes Hahn.

Zyrtarët e BE-së morën të martën një raport nga misioni i tyre vëzhgues, i cili ishte vendosur në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 6 tetor.

Rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve e kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Natën e zgjedhjeve Kurti kishe deklaruar se partia e parë që do t’i trokasë në derë për koalicion është LDK’ja, ndërsa nga partia e Mustafës thonë që po presin edhe numërimin e votës së fundit për të marrë një qëndrim rreth koalicionit të mundshëm me VV”në.

(Kosova Sot Online)