Ambasadori britanik: Kosova votoi për ndryshim, tash pret qeverinë e re

  • 08 October 2019 - 15:30
Ambasadori britanik: Kosova votoi për ndryshim, tash pret qeverinë e re

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abott, ka vlerësuar zgjedhjet e 6 tetorit, duke thënë se ato kanë qenë të organizuara mirë dhe sipas tij një gjë e tillë tregon se demokracia në Kosovë është rritur.

“Kosova ka mbajtur të dielën zgjedhje parlamentare të qeta dhe të organizuara mirë. Kjo tregon se demokracia në Kosovë është duke u rritur”, ka thënë ambasadori britanik.

Abott ka thënë se rezultati i zgjedhjeve ka treguar se kosovarët kanë votuar për ndryshim dhe ka shtuar se po presin formimin e një qeverie të re dhe stabile, që e presin procese të mëdha.

“Rezultatet janë të qarta. Kosova ka votuar për ndryshim, dhe tash pret formimin e një qeverie të re dhe stabile, që do të mund të merret me çështjet e rëndësishme me të cilat është duke u ballafaquar vendi. Unë mezi pres bashkëpunimin me qeverinë e re”, ka shkruar Abott.

Në këtë reagim për zgjedhjet ai ka vlerësuar lartë edhe punën e KQZ’së, duke qenë se janë publikuar në mënyrë shumë të shpejtë rezultatet e numërimit të votave dhe se procesi ka qenë transparent.

“Unë përgëzoj dedikimin dhe profesionalizmin e Këshillit Qëndror të Zgjedhjeve, të cilin e kanë vërejtur edhe vëzhguesit e Ambasadës Britanike kudo në vend. Ishte shumë mirë të shihje rezultatet paraprake të publikoheshin me aq shpejtësi në ueb faqen e KQZ-së, që bëri procesin të jetë edhe më transparent”, ka shtuar tutje.

“E mirëpres deklaratën e sotme të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, dhe ndaj mendimin se zgjedhjet kanë qenë të administruara mirë. Por jam i brengosur me kërcënimet gjatë fushatës në disa pjesë të Kosovës të banuara me popullatë serbe”, ka përfunduar Abott.


(Kosova Sot Online)