Maliqi: Vizita e Kosnett në Vetëvendosje shenjë se Albin Kurti ka ndryshuar

  • 08 October 2019 - 17:40
Maliqi: Vizita e Kosnett në Vetëvendosje shenjë se Albin Kurti ka ndryshuar

Pas triumfit që Lëvizja Vetëvendosje e pati në zgjedhjet e gjashtë tetorit, duke dalë për herë të parë si parti e parë nga zgjedhjet, lideri i partisë, Albin Kurti sot morri një vizitë mjaft të rëndësishme nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Në një bisedë për medie, analisti Shkëlzen Maliqi po thotë se ky është reflektim se Kurti është transformuar gradualisht në dy vitet e fundit.

Dy ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që radhiten të parën Lëvizjen Vetëvendosje, me një diferencë të ngushtë me LDK-në, ambasadori amerikan, Philip Kosnett i bëri vizitën e parë zyrtare si fitues të zgjedhjeve Vetëvendosjes, e liderit të saj, Albin Kurtit.

Derisa Kosnett foli për zgjedhjet e për luftën kundër korrupsionit e dialogun me Serbinë, Kurti e siguroi atë se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës qysh në javën e parë të qeverisjes së tij.

Sot ndërkaq gjatë ditës pas rezultatit të zgjedhjeve reaguan edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Held që tha se pret që shumë shpejt të formohet qeveria e re.

“Ne mezi presim formimin e shpejtë të një qeverie të re dhe bashkëpunim të ngushtë për të vazhduar më tej. Qytetarët kanë dhënë mandatin, tani përgjegjësia i varet politikës në të mirë të së ardhmes së vendit. Mezi pres të rikthehemi në punë “- tha Heldt.

Se qytetarët e Kosovës votuan për ndryshim vlerësoi edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abott.

“Rezultatet janë të qarta. Kosova ka votuar për ndryshim, dhe tash pret formimin e një qeverie të re dhe stabile, që do të mund të merret me çështjet e rëndësishme me të cilat është duke u ballafaquar vendi. Unë mezi pres bashkëpunimin me qeverinë e re”, ka shkruar Abott.

Krejt këto qëndrime të ndërkombëtarëve karshi fitores së Kurtit, po shihen si ndryshim i tij në dy vitet e fundit.

Analisti Shkëlzen Maliqi në një bisedë për medie thotë se Kosnett ka biseduar me Kurtin për të vlerësuar situatën.

“Kjo është normale që pas zgjedhjeve pasi që dihet se Vetëvendosje ka dalë e para, Albin Kurti ka fitu zgjedhjet, ambasadori bisedon me të dhe e vlerëson situatën. Nuk është që kanë ambasadat qëndrimin si para një ose dy viteve ndaj Kurtit së pari sepse ai gradualisht është transformu dhe tash e ka zbutë retorikën, pastaj ata nuk përzihen në zgjedhje dhe kanë thënë se nuk janë për askënd, Kosnett para tre ditëve pat deklaruar se nuk janë për asnjë parti, nuk preferojnë asnjë parti”, thotë Maliqi.

Mirëpo, ai po e vlerëson si të gabuar deklaratën e Kurtit për Listën Serbe e se do t’i lë ata jashtë qeverisë.

“Edhe nëse s’kanë asnjë kandidat të pavarur, nuk mundet as Kurti me lujtë me atë çështje, po e ka thanë nuk e di pse mbase ashtu e ka dëshirën, tash është ende gjysmë zyrtarë, edhe për këtë ndoshta ia ka tërhejekë vërtejten. Qeveria ka me qenë komplete dhe do të munden që të marrin vendime dhe vetëm këto dy parti munden me i pasë më shumë se 61 vota, ashtu diçka”, shtoi tutje.

Maliqi ka komentuar edhe një koalicion të mundshëm në mes të LDK-së e Vetëvendosjes, që kanë dalë nga zgjedhjet me një diferencë të ngushtë në vota.

“Munden me u pranu në qeveri por nuk kanë kurrfarë vendimi vendimarrës, pastaj dalin pas një kohe. Duhet me kuptu patjetër se nuk ka fitu vetëm njëra parti, por të dyjat me një diferencë shumë të vogël edhe nuk munden me i shty agjendat më radikale pa u konsultu me partnerin, negociatat kanë me qenë të vështira po ata duhet me u pajtu me një minimum korrektësie shumë gjëra, që ndoshta VV-së, nuk i shkon për shtati, por, është dicka që duhet me negociu”, ka deklaruar Maliqi.

(Kosova Sot Online)