Kërkesa për Kurtin dhe Osmanin: Mbajeni fjalën, shkarkojeni Hashim Thaçin

  • 09 October 2019 - 07:52
Kërkesa për Kurtin dhe Osmanin: Mbajeni fjalën, shkarkojeni Hashim Thaçin

“Dy partitë më të mëdha të dala nga këto zgjedhje, dhe dy kandidatët më të votuar për postin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kanë hyrë në obligime të mëdha para qytetarëve të vendit, nga të cilat nuk mund të lirohen pa shkarkimin e Hashim Thaçit në njërën nga seancat e para të Kuvendit të Kosovës. Elektorati kosovar nuk është më si më parë, është mbushur mend dhe vetëdijesuar”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, kërkojnë ndryshime rrënjësore në jetën institucionale të Kosovës, duke filluar që nga niveli lokal e deri në maje të pushtetit qendrorë, përfshirë edhe shkarkimin e presidentit, Hashim Thaçi nga detyra, një zotim elektoral që ishte dhënë nga dy kandidatët më të votuar për kryeministër, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Image
Florim Zeqa

Sipas analistit, Florim Zeqa rezultati i këtyre zgjedhjeve është një konfirmim i madh, i cili e shtron nevojën e vazhdimit te ndryshimeve rrënjësore dhe përmbajtjesore në të dyja nivelet e qeverisjes në Kosovë.

“Revolucioni zgjedhor, të cilin, pushtetarët dhe mbështetësit e tyre po e konsiderojnë si termet politik, duhet të bëhet i plotë dhe gjithëpërfshirës me mbajtjen e shpejtë edhe të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të nivelit komunal. Kjo vjen si nevojë imediate për shkak të përmbysjes së rezultateve në shumicën e komunave të Kosovës. Me një fjalë, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare përveç se sjelljen ndryshimit të madh në nivel vendi, e de legjitimuan edhe pushtetin lokal në më se 80 % të komunave të Kosovës”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo, sipas analistit Zeqa, ndryshimi më i rëndësishëm që duhet të ndodhë tani me urgjencë, posa të konstituohet Kuvendi, legjislatura e re, është ndërmarrja e veprimeve për shkarkimin e Hashim Thaçit.

“Rezultati i zgjedhjeve te 6 tetorit e shtron nevojën edhe për diçka tjetër! Duke e ditur se presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk është produkt i vullnetit të qytetarëve të vendit, por produkt i pazareve politike për pushtet, nga 6 tetori nuk e kas më as legjitimitetin politik për të qëndruar në krye të postit më prestigjioz në vend. Për më tepër se imperativ kohor për shkarkimin e Thaçit, është nevoje urgjente për t'i marrë atij pozitën e vetë mandatuar në bisedimet politike me Serbinë. Largimi i Thaçit nga posti i presidentin nënkupton largimin e një pjese të rrezikut potencial për ndarjen e Kosovës”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas tij ky është zotim elektoral të cilit duhet ti përmbahen edhe partitë fituese të zgjedhjeve, kandidatë për kryeministër, Kurti dhe Osmani.

“Dy partitë më të mëdha të dala nga këto zgjedhje, dhe dy kandidatët më të votuar për postin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kanë hyrë në obligime të mëdha para qytetarëve të vendit, nga të cilat nuk mund të lirohen pa shkarkimin e Hashim Thaçit në njërën nga seancat e para të Kuvendit të Kosovës. Elektorati kosovar nuk është më si më parë, është mbushur mend dhe vetëdijesuar. Për çdo mos përmbushje të premtimeve elektorale do t'i ndëshkoje fituesit e këtyre zgjedhjeve ashtu siç i ndëshkoj politikanët mashtrues të zgjedhjeve paraprake. Për këtë arsye, kryeministri në ardhje Albin Kurti duhet të tregohet tepër i kujdesshëm në përmbushjen e çdo premtimi elektoral, në të kundërtën e pret fat pak më i hidhur sesa i kryeministrit paraprak”, përfundoi Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)