Analisti amerikan tregon për vështirësitë që e presin Kurtin

  • 09 October 2019 - 08:00
Analisti amerikan tregon për vështirësitë që e presin Kurtin

Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke shpallur fitoren tha se ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Qeveria e re e Kosovës do të ketë përpara shumë sfidave, si në rrafshin ndërkombëtar ashtu edhe atë vendor. Dy analistë amerikanë, Edward Joseph dhe Janusz Bugajski, ndjekës të hershëm të zhvillimeve në Kosovë, thonë se vazhdimi i bisedimeve Kosovë-Serbi dhe tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe, duhet të jenë prioritetet e qeverisë së re.

Albin Kurtin e presin sfida të mëdha në rast se e merr drejtimin e qeverisë së re të Kosovës, thotë eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Edward Joseph.

“Të qenit në qeveri, i ndryshon njerëzit dhe politikanët. Për Albin Kurtin dukej e lehte të kritikonte nga jashtë dhe të kundërshtonte. Është krejt ndryshe të shkosh në Bruksel ose Uashington, ose të presësh zyrtarë të lartë nga këto dy vende dhe t’i dëgjosh ata. Nuk duhet të harrojmë se Kosova është e varur nga mbështetja e faktorit ndërkombëtar. Për sigurinë e Kosovës kujdeset KFOR-i, ende nuk ka ushtri. Ekonomia varet nga BE-ja. Prandaj Kosova nuk mund ta përballojë izolimin. Kjo duhet të përjashtohet”, tha për media analisti amerikan Edward Joseph.

Por, qëndrimet e udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, që shpesh herë janë cilësuar si të ashpra ndaj faktorit ndërkombëtar dhe izoluese për Kosovën, nuk i sheh si problem analisti Janusz Bugajski nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane.

“Ai është i vendosur të sigurojë qëndrimin në këmbë të Kosovës, në fushën ekonomike, politike dhe strategjike. Mendoj se kjo është ajo që dëshiron Amerika. Amerika i do vendet që janë të pavarura, të sigurta dhe që kërkojnë më pak angazhim të trupave ushtarake amerikane. Pra i do vendet që mund të shërbejnë në aleancë. Unë mendoj se Kosova në vend që të jetë konsumuese, mund të kontribuojë për sigurinë e përbashkët në NATO. Në një mënyrë mendoj se Kurti është personi i duhur për këtë”, tha analisti Janusz Bugajski.

Sfida më e vështirë dhe një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, është rikthimi në tryezën e bisedimeve me Beogradin. Kjo është edhe pritshmëria e Uashingtonit, i cili ka emëruar dy të dërguar të posaçëm për Kosovën, ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, soi përfaqësues të presidentit Trump për bisdimet me Serbinë dhe diplomatin e lartë Matthew Palmer.

“Besohet se emërimi i ambasadorit Grenell, nënkupton interesin që Shtëpia e Bardhë ka për arritjen e një marrëveshjeje. Arritja e marrëveshjes nënkupton respektimin e interesave të të dyja palëve”, tha analisti Edward Joseph.

Analisti Bujaksi thotë se përfshirja e ambasadorit Grenell është përparërësi që zoti Kurti duhet ta shfrytëzojë, ndërsa thotë se Kosova me Albin Kurtin në krye të qeverisë, do të ketë ekipin negociues më të besueshëm që ka pasur ndonjëherë.

“Albin Kurti duket se nga të gjithë politikanët në Kosovë është më i pastërti, sepse nuk ka akuza për korrupsion, nuk ka dyshime për krime lufte dhe nuk ka qenë pjesë e ndonjë qeverie ku janë bërë gabime. Pra, i ka duart e pastërta dhe kjo i jep më shumë autoritet dhe e vë në epërsi përballë komunitetit ndërkombëtar. Do të jetë një përzierje interesante sepse në anën tjetër Ambasadori Grenell ka rezerva ndaj Bashkimit Evropian dhe ka bërë kritikuar të shumta ndaj qeverisë gjermane. Prandaj mendoj se ai nuk do të dëgjojë shumë qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe më shumë i intereson të shtyjë përpara atë amerikan, të cilin Kosova duhet ta shfrytëzojë në favor të saj”, tha analisti Janusz Bugajski.

Pritjet janë që qeveria e re e Kosovës, të vendosë shpejt për tarifën 100 për qind ndaj produkteve serbe, e cila edhe u bë shkaktare e ndërprerjes së dialogut.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

“Ramush Haradinja nuk do ta hiqte tarifën, sepse për të ishte çështje parimore. Por një qeveri e re, e ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, mundet shumë lehtë të gjejë formulën me Beogradin. Për shembull, tarifa pezullohet, bisedimet rifillojnë dhe Beogradi heqë dorë nga disa prej kundërshtimeve të saj në arenën ndërkombëtare. Prandaj besoj se me bashkimin e energjisë së diplomacive amerikane dhe evropiane, mund të arrihet formula për pezullimin e këtyre tarifave”, tha Edward Joseph.

Ky skenar, thonë analistët, është lehtësisht i realizueshëm. Madje, ata shohin më shumë rezistencë nga pala serbe sesa ajo e Kosovës.

“Kërkohet më shumë presion, në veçanti ndaj Serbisë. Kërkohet angazhim serioz për një formulë të mirë, se çfarë do lëshosh dhe çfarë do marrësh në shkëmbim. Gjithashtu duhet të vëzhgohet Rusia, e cila mund të përpiqet të sabotojë procesin, pasi marrëveshje nuk është në interesin e saj”, tha analisti Janusz Bugajski.

Krahas sfidave në rrafshin ndërkombëtar, Kosova ka probleme të mëdha edhe për shumë çështje të brendshme. Analistët thonë se në të dyja fushat, kërkohet punë paralele.

“Qeverisë do t’i duhet të fokusohet tek të dyjat. Duhet të angazhohen për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, duhet të marrin masa që të mos emërojnë në poste vendim-marrëse familjarë dhe të afërm. Dhe mbi të githa, cilido qoftë roli i Albin Kuritt në qeveri, ai duhet të angazhohet për këtë për të dëshmuar se këto janë prioritetet më të mëdha për Vetëvendosjen”, tha analistiEdward Josephë.

“Mendoj se zhvillimi ekonomik por edhe duart e pastërta, transparenca, sundimi i ligjit, drejtësia për ata që kanë kryer krime dhe zyrtarë të korruptuar që kanë abuzuar me postet publike duhet të jetë puna e parë e brendshme”, tha analisti Janusz Bugajskië

Analistët thanë se është e vështirë të parashikohet kohëzgjatja e krijimit të qeverisë së re, por ata thonë se ajo duhet të formohet sa më parë.

(Kosova Sot Online)