Kur shpallen rezultatet përfundimtare të votave të kandidatëve për deputetë?

  • 09 October 2019 - 15:32
Kur shpallen rezultatet përfundimtare të votave të kandidatëve për deputetë?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), dje ka përfunduar me numërimin e të gjitha vendvotimeve. Mirëpo, KQZ, ende nuk ka nisur numërimin e votave me postë, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Ky proces i numërimit do të jetë shkak i vonesës së publikimit të rezultateve të përkthyera në vota për kandidatë për deputetë të partive politike.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, thotë se pasi të bëhet numërimi i votave me postë, kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta do të shpallen edhe rezultatet e kandidatëve për deputetë.

“Me shpalljen e rezultateve përfundimtare do t’i shpallim edhe rezultatet për kandidatët për deputetë. Gjithashtu, që procesi të përmbyllet ne duhet që të numërojmë edhe votat me postë, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, rezultati i të cilave i bashkohet rezultatit të vendvotimeve”, ka thënë Elezi për media.

Votat me postë, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta nuk do të përfundojnë së numëruar gjatë kësaj jave, andaj edhe publikimi i votave për kandidatët për deputetë nuk ndodhë gjatë kësaj jave.

Në anën tjetër Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur si të palejuara ankesat nga PDK-ja, LDK-ja e koalicioni Nisma-AKR-PD për rinumërim të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga Subjektit Politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga Subjekti Politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të Urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për te hudhur si te palejuara ankesat e larte theksuara”, njoftoi PZAP.

Kujtojmë, se në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë publikuar rezultatet e 2 mijë e 547 vendvotimeve apo 100 për qind të votave, shkruan lajmi.net.

Sipas këtyre rezultateve është Lëvizja Vetëvendosje ajo që ka dalë fituese e këtyre zgjedhjeve me 202 mijë e 968 vota apo 25.49 për qind.

E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka arritur që të mbledh 197 mijë e 702 vota apo 24.84 për qind.

Në vendin e tretë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 169 mijë e 211 vota apo 21.25 për qind.

Koalicioni AAK-PSD ka arritur që t’i mbledh vetëm 92 mijë e 149 vota apo 11.57 për qind.

Ndërkaq koalicioni Nisma-AKR nuk ka arritur që të kaloj pragun pasi që ka arritur që t’i mbledh vetëm 39 mijë e 495 vota apo 4,96 për qind.

(Kosova Sot Online)