Çfarë thotë VV për takimin e Kurtit me Emisarin e Trump, ky është njoftimi

  • 09 October 2019 - 15:44
Çfarë thotë VV për takimin e Kurtit me Emisarin e Trump, ky është njoftimi

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ishte i pari nga liderët e partive që u takua me emisarin special të Presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi. Pas takimit, Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë detaje për atë se çka u diskutua.

Përvec, Richard Grenell në takim ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

“Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e VETËVENDOSJE!-s për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dieles së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd. Z. Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare”, bëhet e ditur në njoftimin për media.

“Z. Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të. Ai u pajtua me Ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka. Sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të”, shkruhet tutje.

 

(Kosova Sot Online)