Paralajmërimi: Kjo është sfida e pakalueshme e Albin Kurtit, fati i Qeverisë...

  • 10 October 2019 - 07:52
Paralajmërimi: Kjo është sfida e pakalueshme e Albin Kurtit, fati i Qeverisë...

“Fati i qeverisë Kurti do të varet krejtësisht, në jetëgjatësi, nga qasja që do të ketë ndaj bisedimeve me Serbinë. Hapat e parë në dialog me Serbinë do të jenë përcaktues për jetëgjatësinë e Albin Kurtit në qeverisjen e vendit.”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse LDK-ja dhe VV-ja kanë pasur raporte të relaksuara të bashkëpunimit politik opozitar gjatë mandatit të kaluar, raporte që u ruajtën edhe në fushatën zgjedhore, me zotimin se do të jenë partner serioz për krijimin e qeverisë së re pas 6 tetorit, analistët politikë nuk shohin mundësi që ky zotim të realizohet pa një presion të madh të faktorit ndërkombëtar, ngase tani po shihet që në të dyja taborret ka një lloj lakmie, egoje për më shumë pushtet.

Image
Florim Zeqa

Për ta tejkaluar këtë situatë, analisti politik, Florim Zeqa, sikurse në të kaluarën, mendon se nevojitet një presion serioz i miqve ndërkombëtar.

E ky presion, sipas tij, është evident tani që nga dita e parë e përfundimit të zgjedhjeve dhe komunikimit të rezultati preliminar i cili nxjerr fituesit e këtyre zgjedhjeve.

“Do të jetë vetëm presioni ndërkombëtar ai faktori kyç për formimin e qeverisë së re dhe fillimin e shpejtë të dialogut me Serbinë, që partitë politike të tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe lojën me kontestimin e rezultatit zgjedhor, për ti dhënë pa vonesë vendit, Kuvendin dhe qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, tashmë kur dihen dy subjektet e para që i kanë numrat e mjaftueshëm në kuvend për formimin e qeverisë, nuk ka asnjë arsye për vonesa të mëtutjeshme.

“Qartësia e rezultatit zgjedhorë ka bërë që të shtohet edhe presioni ndërkombëtar për formimin e qeverisë së re. Në deklaratën e parë për zgjedhjet në Kosovë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqja e re të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Po ashtu krijimin shpejtë të qeverisë së re e kanë kërkuar edhe ambasadori amerikan, britanez dhe ai gjerman. Ndërsa në një takim të parë me kreun e VV-së, Albin Kurtin dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa e zhvilloi edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett Po ashtu në këtë fokus është edhe vizita e të dërguarit special të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, më mënyrë të veçantë pas fitores së VV-së mbi rezultatin preliminar të zgjedhjeve të 6 tetorit, Kosnett i kërkoi Kurtit që të shpejtojë hapat për formimin e qeverisë së re dhe për vazhdimin e menjëhershëm të dialogut me Serbinë, prandaj këtu edhe siç shihet, sfida e parë dhe e pakalueshme e Albin Kurtit dhe qeverisë që ai pretendon ta drejtojë, do të jetë dialogu me Serbinë, dialog ky i cili do të jetë sa i vështirë po aq sfidues për të.

“Fati i qeverisë Kurti do të varet krejtësisht, në jetëgjatësi, nga qasja që do të ketë ndaj bisedimeve me Serbinë. Hapat e parë në dialog me Serbinë do të jenë përcaktues për jetëgjatësinë e Albin Kurtit në qeverisjen e vendit. Kursi i deritanishëm politik i lë atij pak hapësirë manovrimi Albin Kurtit në përballje me ndërkombëtarët. Ndryshimi i qasjes dhe moderimi eventual, Albin Kurtit mund t'i kushtojë me humbjen e gjithë kredibilitetit politik të arritur ndër vite e dekada. Andaj, mbetët të shihet në ditët dhe javët në vazhdim, se a do të moderohet edhe Albin Kurti sikurse Hashim Thaçi apo do t'i qëndroj besnik kursit politik dhe parimeve mbi të cilat është ngritur në karrierën politike, përkatësisht nga udhëheqës i një organizate politike në kryeministër të vendit!”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)