Turpërimi në zgjedhje, kërkohet dorëheqja e Shpend Ahmetit

  • 11 October 2019 - 07:39
Turpërimi në zgjedhje, kërkohet dorëheqja e Shpend Ahmetit

“Mendoj që Shpend Ahmeti duhet vet të dorëhiqet nga posti i Kryetarit të Prishtinës, si dhe brenda një kohe të shkurtër të këtij viti të mbahen zgjedhjet komunale vetëm në Prishtinë, ku qytetarët ta zgjedhin një kryetar tjetër me votat e tyre. PSD-ja është ditur që do të dështoj që nga fillimi kur e ka deklaruar që do të hyje në garë për deputet në koalicion me AAK-në”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Tani kur gjithçka është qartësuar rreth rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, po shihet që debaklin më të madh politik në këto zgjedhje e pësoi kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti me 12 deputetët të cilët e patën braktisur Lëvizjen Vetëvendosje, dhe u strehuan në PSD-në e Kaqusha Jasharit.

Edhe pse shkuan në koalicion parazgjedhor me AAK-në, asnjë nga kandidatët e PSD-së në listën AAK-PSD nuk arritën të sigurojnë mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Sipas analistëve, turpi më i madh që po ndodhë në këtë finale të përgatitjes për publikim zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve, është me Shpend Ahmetin, i cili sipas analistëve, do të duhet që pa vonesë ta dorëzojë mandatin e kryetarit, për shkak të humbjes së legjitimitetit qytetar.

E nëse këtë nuk e bënë ai vetë, analistët theksojnë se do të duhet që grupet parlamentare në asamblenë komunale të Prishtinës, ta iniciojnë procedurën e shkarkimit dhe të shpalljes së zgjedhjeve të reja.

Image
Dardan Grapci

Sipas analistit politik, Dardan Grapci, këto zgjedhje të 6 tetorit për Kuvendin e Kosovës, dëshmuan përfundimisht se Shpend Ahmeti nuk është votuar si personalitet i besuar dhe i vlerësuar nga qytetarët për kryetar Komune, por ajo votë ka qenë votë e anëtarësisë së VV-së për programin e partisë dhe liderit të saj Kurti, i cili ka bërë fushatë dhe ka kërkuar nga votuesit që të ja besojnë votën për kryetar Shpend Ahmetit.

“Shpend Ahmeti, realisht e kishte fituar popullaritetin politik falë Albin Kurtit si lider i Lëvizjes. Për këtë edhe ai personalisht ka qenë në dijeni por është paraqitur kinse i ka meritat e veta dhe e ka injoruar këtë të vërtetë. Pra, po shihet ashiqare që kryetari Ahmeti, komunën e kishte fituar falë subjektit të cilit dikur i takonte, ndërsa tanimë e ka kuptuar që ikja nga Lëvizja e përcolli me ndëshkim total. PSD, gjithandej e ka të minimizuar fuqinë e saj politike, në çdo komunë ka pësuar debakël politik, madje aq shumë ishte rritur zhgënjimi sa këto zgjedhje e kanë ndëshkuar dhe deklaruar duke e përmbysur politikisht grupin e Shpend Ahmetit, duke mos arritur të merr asnjë mandat të vetëm për deputet, në Kuvendin e Kosovës”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas Grapcit, edhe bashkëpunimi i tyre politik me AAK-në, këtë të fundit vetëm sa e ka dëmtuar edhe më shumë.

Grapci është i sigurt që PSD-ja e Shpend Ahmetit, e huazuar nga Kaqusha Jashari, do të mbetet e shënuar si dështim i vazhdueshëm në historinë e partive politike dhe do të shuhet përgjithmonë.

“Ky subjekt, më kalimin e kohës do të shuhet, pasi po shihet që nuk e ka as minimumin e mbështetjes së tyre, gradualisht do të bie, dhe pjesa dërrmues e atyre që duan të merren akoma me politikë do të lëvizin nëpër subjekte tjera, me idenë për të mbijetuar sado pak dhe për të mos vdekur politikisht bashkë me Shpend Ahmetin. Unë besoj që edhe komunat ku tashmë qeverisin këta si grup, kinse si PSD, në zgjedhjet e ardhshme lokale, do t’ia merr lëvizja sepse populli e ndëshkon tradhtinë dhe dëmtimin e përfaqësimit të tyre politike që dikur ua kishte dhënë duke qenë tek LVV-ja.

Prandaj, sipas Grapcit, është koha që tani Shpend Ahmeti vetë të dorëhiqet, pasi dështimi i tij nuk mundë të riparohet me asnjë çmim.

“Mendoj që Shpend Ahmeti duhet vet të dorëhiqet nga posti i Kryetarit të Prishtinës, si dhe brenda një kohe të shkurtër të këtij viti të mbahen zgjedhjet komunale vetëm në Prishtinë, ku qytetarët ta zgjedhin një kryetar tjetër me votat e tyre. PSD-ja është ditur që do të dështoj që nga fillimi kur e ka deklaruar që do të hyje në garë për deputet në koalicion me AAK-n. Prandaj tani ajo se çka duhet të bej asambleja komunale e Prishtinës, nëse Shpendi nuk largohet vullnetarisht, është që ta bëjnë kërkesën për shkarkimin e Shpend Ahmetit dhe të mbahen zgjedhje të brendshme komunale, për ta zgjedhur kryetarin e ri të Komunës”, përfundoi Dardan Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)