Ky është përkrahësi tjetër i Millosheviqit, që vite më parë iu dha Çmimi Nobel

  • 11 October 2019 - 10:01
Ky është përkrahësi tjetër i Millosheviqit, që vite më parë iu dha Çmimi Nobel

Shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili e ka mbrojtur Sllobodan Millosheviqin dhe gjenocidin serb në Kosovë, sot i është dhënë çmimi Nobel për Letrësi.

Nga Kosova e mbarë bota ka pasur reagime gjatë tërë ditës ndaj Akademisë Suedeze për ndarjen e këtij çmimi për apologjetin e Millosheviqit.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Kosovës në Londër, aktualisht kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, me këtë rast ka rikujtuar edhe një apologjet tjetër të Millosheviqit, të cilit i ishte dhënë Nobeli vite më parë.

“Një shkrimtar më i mirë se austriaku Peter Handke, gjithashtu apologjet i Kasapit serb Millosheviq, dramaturgu anglez Harold Pinter, e ka marrë Çmimin Nobel për Letërsi më 2005, për të gjallë të Kasapit, i cili vdiq në një çeli të burgut në Scheveningen të Holandës, teksa priste të gjykohej për gjenocid, krime kundër njerëzimit e krime lufte në Bosnjë, në Kroaci e në Kosovë”, ka shkruar Hamiti në rrjetin social Facebook, në internet.

“Gjykimi i Millosheviqit duhej të ishte më i rëndësishmi mbas gjykimeve të krimeve naziste në Nuremberg. Harold Pinteri ka qenë anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Sllobodan Millosheviqit, që ishte formuar në vitin 2001. Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e Millosheviqit ka qenë antikushtetuese, ka pasë deklaruar nobelisti anglez Harold Pinter, i cili bënte thirrje për lirimin e tij”, ka kujtuar Hamiti.

(Kosova Sot Online)