Isa Mustafa te zyrat e partisë, e mbledhë kryesinë para takimit me VV-në

  • 11 October 2019 - 12:53
Isa Mustafa te zyrat e partisë, e mbledhë kryesinë para takimit me VV-në

Për pak minuta pritet që të mblidhet Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku si temë kryesore e diskutimit është koalicioni i mundshëm pas zgjedhor me Vetëvendosjen.

Media raporton se në selinë qendrore të kësaj partie, veçse kanë filluar të arrijnë fytyrat kyçe të LDK-së.

Tashmë në LDK ka arritur kreu i saj, Isa Mustafa.

Media sot ka raportuar se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në orën 13:00.

Ky takim i krerëve të Lidhjes Demokratike vjen pak orë para se të njëjtët të mbajnë edhe takimin e parë me Vetëvendosjen për t’u dakorduar për programin qeverisës.

Se LDK-ja dhe VV-ja do të angazhojnë ekipe punuese për të biseduar për një koalicion të mundshëm kanë konfirmuar dje kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani dhe kreu i VV-së, Albin Kurti, pas takimit të parë që e patën pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratikë e Kosovës janë pajtuar që të qeverisin bashkë.

Pas takimit me Kurtin, Vjosa Osmani ka folur para mediave, duke thënë se tashmë ju mbetet partive që të flasin për detajet.

“Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive që diskutohen për detajet”, ka thënë ajo.

Ende nuk është bërë e ditur nga partitë se në sa ora do të mbahet takimi i parë në mes të grupeve koordinuese. 

(Kosova Sot online)