Zyra e Presidentit e interesuar për të blerë lule në vlerë 7 mijë euro

  • 11 October 2019 - 17:39
Zyra e Presidentit e interesuar për të blerë lule në vlerë 7 mijë euro

Zyra e Presidentit të Kosovës ka shpallë tender në vlerë 7 mijë euro për furnizim me lule. Madje, jo çfarëdo lulesh. Trëndafila, krizantemë e dahlia, janë vetëm disa prej llojeve të luleve që janë porositur nga ZPRK’ja. Përveç tyre, do të blihen edhe lule dhe kurora për nderim të të vdekurve.

Sipas njoftimit për nënshkrim të kontratës që ka publikuar ZPRK’ja në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, me këto para do të blihen lule për nderim të të vdekurëve dhe kurora për ceremoni nderi tek varrezat me mbishkrim dhe me ngjyra të flamurit shtetëror.

“Ikebana të vogël, minimalisht 5 lule ( Trëndafil, ose gerber, krizantema, dahlia etj) 180 copë. Ikebana të mëdha, minimalisht 10 lule ( Trëndafil ose gerber, krizantem, dahlia etj) 70 copë. Buqeta të mëdha, minimalisht 10 lule ( Për nderim te vdekurëve) 40 copë. Buqeta të vogël, minimalisht 7 lule ( për nderim të të vdekurve) 35 copë. Kurorë me diametër 1 m, për ceremoni nderi tek varrezat. ( Kurora duhet te ketë edhe mbajtëset nga druri lartësi deri 80 cm nga toka dhe shiritin nga materiali i stofit me mbishkrim dhe me ngjyra te flamurit shtetëror 18 copë”, thuhet në njoftimin për kontratë të publikuar në KRPP.

Kompanitë e interesuara për këtë tender, kanë afat që t’i dorëzojnë ofertat e tyre vetëm deri më 18 tetor, në ora 14:00.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për kontratë”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)