KQZ nuk e di sa vota ka me kusht e sa nga diaspora, të dhënat e sakta në “ditët në vijim”

  • 11 October 2019 - 18:11
KQZ nuk e di sa vota ka me kusht e sa nga diaspora, të dhënat e sakta në “ditët në vijim”

Votat me kusht, të diasporës dhe ato të personave me nevoja të veçanta do t’i japin fund dilemës se kush do të udhëheqë me Qeverinë e re. Votat e tyre do ta zgjedhin përfundimisht kryeministrin e ri të vendit. Por, për numrin e saktë të votave me kusht dhe atyre të diasporës nuk janë në dijeni as në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor do të vulosen me votat me kusht, ato nga diaspora dhe me votat e personave me nevoja të veçanta.

Por, se sa është numri i këtyre votave ende nuk po dihet.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se ende nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e votave nga diaspora dhe votat me kusht.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi ka thënë se shumë shpejt do të dalin me numër të saktë të këtyre votave.

Sa i përket votave nga diaspora, Elezi thotë se në periudhën e votimit ata kanë pranuar rreth 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime, por se sa fletëvotime janë saktë thotë se do të dihet pas vlerësimin dhe shqyrtimit.

“Lidhur me votat jashtë vendit, në periudhën e votimit përmes postës, ne kemi pranuar rreth 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime, por se sa është numri i saktë i fletëvotimeve ne do ta dimë pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe shqyrtimit të tyre që është duke vazhduar edhe në këto momente”, ka thënë Elezi. 

Ndërkohë, vota të personave me nevoja të veçanta llogariten të jenë rreth 3 mijë. Së paku aq është numri i personave që kanë kërkuar të votojnë përmes ekipeve mobile të KQZ’së. Në këtë kategori të votuesve hyjnë personat e shtrirë nëpër spitale, të burgosurit dhe të moshuarit.

“Së shpejti do të kemi numrin e saktë të votave me kusht për çdo komunë të Kosovës, si dhe numrin e saktë se sa persona me nevoja të veçanta kanë votuar ditën e 6 tetorit me ekipet mobile. Gjatë periudhës së regjistrimit të këtyre personave janë rreth 2 mijë e 900 qytetarë apo votues të cilët kanë kërkuar të votojnë ditën e zgjedhjeve përmes ekipeve mobile. Ndërkohë, ditëve në vijim do të kemi të dhëna të sakta se sa prej tyre e kanë shfrytëzuar të drejtën për votim”, ka thënë Elezi.

Për numrin e votave me kusht, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë pranuar të japin ndonjë shifër të përafërt.

Deklarojnë se këtë do ta bëjnë gjatë ditëve në vijim. E më shumë njohuri se KQZ’ja rreth votave me kusht po del të ketë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai në një konferencë për media para dy ditësh tha se numri i votave me kusht është mbi 24 mijë.

“Pasi të përmbyllet procesi i numërimit të votave të rregullta, mbesin me u hap edhe numëru 35 mijë dërgesa që vijnë nga diaspora dhe 24 mijë e 134 janë vota me kusht. P.sh. shumica e komisionerëve dhe vëzhguesve s’kanë mujt me i lëshu vendvotimet edhe kanë votu me kusht. Ka shumë vota me kusht në Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë e disa komuna tjera”, deklaroi Haradinaj para gazetarëve të martën.

Ndryshe, zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Bazuar në rezultatin e deritashëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas VV’së, me numër më të madh të votave renditen Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.

Presidenti i Kosovës, pas shpërbërjes së Kuvendit në gusht, shpalli zgjedhjet për datën 6 tetor.

(Kosova Sot Online)