Tusk: Nuk pranojmë shantazhe nga Erdogan

  • 11 tetor 2019 - 21:39
Tusk: Nuk pranojmë shantazhe nga Erdogan

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, siguroi sot se BE nuk do ta pranojë shantazhin e bërë nga presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili kërcënoi se do të dërgojë miliona migrantë në Europë, si kundërpërgjigje ndaj kritikave mbi ofensivën turke në Siri.

“Nëse ju përpiqeni ta paraqisni operacionin tonë si një pushtim, ne do t’u hapim dyert dhe do të dërgojmë drejt jush rreth 3,6 milionë migrantë”, tha dje Erdogan, një ditë pas fillimit të ofensivës turke kundër milicisë kurde në veri të Sirisë. 

“Nuk do të pranojmë kurrë që refugjatët të përdoren si armë dhe mjet për të na detyruar ne. Kjo është arsyeja pse unë i konsideroj kërcënimet e djeshme të presidentit Erdogan si krejtësisht të parëndësishme,” tha Tusk, gjatë një vizite në Qipro.

Fluksi i migrantëve nga Turqia në Evropë është ulur ndjeshëm, falë një marrëveshjeje të arritur në vitin 2016 midis Ankarasë dhe BE-së.

(Kosova Sot Online)