Vjen parashikimi zhgënjyes për qeverinë Kurti, ja çka pritet të ndodhë...

  • 12 October 2019 - 07:27
Vjen parashikimi zhgënjyes për qeverinë Kurti, ja çka pritet të ndodhë...

“Do të kemi në tavolinë të bisedimeve tema të rënda apo modele të zgjidhjeve absurde që presin këtë koalicion. E nëse veç mbetet si temë edhe opsioni i shkëmbimit të territoreve, atëherë, nëse këta dy partner qeverisës e mbajnë fjalën se s’ka shkëmbim territoresh, atëherë është fundi i këtij koalicioni, madje mundë të bjerë ende para se të fillon ky dialog”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Njohësi i zhvillimeve politike, profesori universitar, Blerim Burjani, nuk e sheh me jetë të gjatë as qeverinë e re të koalicionit LVV- LDK, edhe pse kjo qeveri në pritje do të ketë shumicën e mjaftueshme në kuvend vetëm nga deputetët e shumicës shqiptare me mbi 61 deputetë.

Image
Blerim Burjani

Mirëpo ajo që e sfidon koalicionin e ri qeverisës, sipas Burjanit, janë bisedimet në pritje me Serbinë për arritjen e një marrëveshje të pajtimit në mes të dy vendeve.

Profesor Burjani thotë se akoma pa u arritur marrëveshja për formimin e qeverisë së re, vizitat e diplomatëve të huaj që këto ditë po qëndrojnë në vendin tonë, veç po e paralajmërojnë vjeshtën e nxehtë me presion të madh ndërkombëtar për fillimin e dialogut pa kushte.

Kjo temë e rëndë para së cilës u vetë dorëzua koalicioni PAN, duke e dërguar vendin në zgjedhje të reja më 6 tetor, sipas Burjanit, tani po i mbetet në dorë trashëgim si “patatja e “nxehtë” LDK-së dhe VV-së.

“Është e saktë se Qeverinë e re e pret tema më sfiduese, është pra dialogu që mundë të sjell edhe rënien e kësaj qeverie. Kjo tema e dialogut është një temë e rëndë dhe këta janë totalisht të pa përgatitur, si një qeveri e re në pritje që nuk është gjë tjetër veç se Qeveria e mllefit, që e quaj unë këtë koalicion që po pritet të formohet në mes të VV-së dhe LDK-së. Jam shumë i bindur që edhe këto dy subjekt politike absolutisht nuk do të mundë ta zgjidhin dialogun me Serbinë, pa PDK-në. E them këtë sepse për të arritur një marrëveshje të këtij formati nevojiten ti kenë së pakut 80 vota në Kuvend”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Fillimi i dialogut me Serbinë me këtë nxitim dhe presion të madh ndërkombëtar, sipas Burjanit, do të hapë shumë tema për të ju dhënë zgjidhje, prandaj nuk e sheh aspak të përgatitur për çështje të tilla serioze koalicionin që po pritet të arrihet dhe formatizohet mes LVV-së dhe LDK-së.

“Do të kemi në tavolinë të bisedimeve tema të rënda apo modele të zgjidhjeve absurde që presin këtë koalicion. E nëse veç mbetet si temë edhe opsioni i shkëmbimit të territoreve, atëherë, nëse këta dy partner qeverisës e mbajnë fjalën se s’ka shkëmbim territoresh, atëherë është fundi i këtij koalicioni, madje mundë të bjerë ende para se të fillon ky dialog. Pra, nuk besoj që këta do të kenë kapacitete të mjaftueshme dhe të qëndrueshme që të ballafaqohen me sfidat e kësaj teme, kështu që, sipas mendimit tim, më mirë do të ishte të mos bëhet fare ky koalicion, meqenëse ende nuk është përjashtuar si opsion i bisedimeve që do të vazhdojnë, edhe tema e shkëmbimit të territoreve. Nëse përfundimisht kjo temë mbetet për ta shtruar seriozisht në këto bisedime si zgjidhje e vetme, kjo qeveri duhet të largohet edhe nëse arrin të bëhet tani në ditët në vijim”, shtoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

Profesor Burjani thotë se Albin Kurti nuk mundë të jetë një lider dhe kryeministër që mundë të ballafaqohet me tema kaq të mëdha e serioze për vendin, sepse edhe si subjekt politik nuk kanë eksperiencë dhe nuk kanë përvojë në politikë dhe as në institucione, e të mos flasim për diplomaci.

“Pra pa një kryeministër më kredibil, të guximshëm, të aftë për ballafaqim me të gjitha opsionet, nuk mundë kemi qeveri serioze e stabile e cila do të mundë të kryej punët. Deri tash kemi parë vetëm një lojë fjalësh të VV-së por s’kemi par asgjë tjetër. Duhet ditur dhe kuptuar seriozisht që dëshira për tu bërë kryeministër nuk përputhet me kapacitet e VV-së, prandaj për gjithçka tash e tutje na mbetet të pritet dhe të shihet”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)