KQZ vendos që t’i verifikoj një për një 4500 zarfe nga diaspora

  • 12 October 2019 - 12:12
KQZ vendos që t’i verifikoj një për një 4500 zarfe nga diaspora

Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar për 4500 vota të diasporës të cilat kanë arritur në adresë të KQZ-së pas datës së zgjedhjeve.

Në bazë të ligjit për zgjedhjet, dërgesat postare nga jashtë vendit duhet të arrijnë në adresë të KQZ-së 24 orë para ditës së zgjedhjeve.

Sami Hamiti anëtar i KQZ-së nga LDK-ja ka thënë se ligji nuk duhet të shkelet dhe 4500 zarfe që kanë ardhur nga diaspora pas datës së zgjedhjeve nuk duhet të pranohen.

Por anëtari i VV-së në këtë institucion, Adnan Rrustemi ka thënë se këto zarfe duhet të pranohet duke marrë parasysh vështirësitë objektive të votimit jashtë vendit.

Rrustemi në mbledhjen e këtij institucioni sot ka propozuar që të hudhet në votim për pranimin e 4500 dërgesa postare të ardhura nga diaspora pas datës së zgjedhjeve si të rregullta për arsye të procedurës së votimit nga jashtë Kosovës por që nuk është hedhur në votim kërkesa.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që këto zarfe që kanë ardhur nga jashtë vendit pas ditës së zgjedhjeve të kontrollohen nga administrata e KQZ-së një për një për të vlerësuar se a duhet të pranohen apo jo.

(Kosova Sot Online)