Paralajmërimi i rëndë: Ja ‘lufta’ e vërtetë që e pret koalicionin VV-LDK...

  • 13 October 2019 - 07:11
Paralajmërimi i rëndë: Ja ‘lufta’ e vërtetë që e pret koalicionin VV-LDK...

“Është tepër e sigurt që në këtë rrugëtim për ndryshime pozitive, nga koalicioni LVV dhe LDK, do të ketë prapë shumë obstruksione nga PAN-i komplet në Kuvend. Ata do të jenë të bashkuar kundër koalicionit LVV-LDK dhe do të rezistojnë në të gjitha variantet, për të ndal ndryshimin ku të munden dhe qysh të munden. Pra do të jetë një rrugë e gjatë e komplikuar e këtyre dy subjekteve politike për ti dhënë ndryshime pozitive dhe qeverisje të reformuar e në funksion të zhvillimit e kthimit të shpresës së qytetarëve”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Image
Blerim Burjani

Analistët politikë e vlerësojnë tejet pozitiv fillimin e bisedimeve konkrete mes LVV-së dhe LDK-së, për përcaktimin e modaliteteve programore dhe parimeve bazë, për ndërtimin e koalicionit të madh qeverisë mes këtyre dy subjekteve politike, që në mandatin e kaluar ishin opozitë e fuqishme dhe unike në parlament.

Ish anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani, njëherit edhe njohës me përvojë të gjatë i zhvillimeve politike të pas luftës në vend, tha për “Kosova Sot Online” se ndonëse koalicioni mes LVV-s dhe LDK-së po ndërtohet nën presionin dhe trysnin e madhe ndërkombëtare, për të riparuar të gjitha dështimet dhe degradimet e shkaktuara nga kapja e shtetit prej strukturave të PAN-it dhe PDK-së në të kaluarën.

Si[as tij, shenjat e para po tregojnë se ka vullnet serioz në LVV dhe LDK, për t’i dhënë vendit një qeverisje të re, të pa korruptuar e cila për pikësynim ka funksionimin në dy mandate të plota, për të dekontaminuar dhe pastruar tërësisht skenën politike dhe institucionet nga rrjetet e krimit të organizuar dhe korrupsioni.

“LDK dhe VV janë pajtuar për të bërë koalicion me trysni ndërkombëtare për shkak të bindjes së gjerë se këta mund të rregullojnë situatën kaotike të lënë nga PAN-i prej viteve 2007. Kjo çështje nuk shkon shpejt, kërkon kohë të gjatë dhe së paku duhet ti kenë dy mandate gabimet e PAN po iu kushtojnë Kosovës”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, edhe pse ish partnerët e PAN-it tani janë të shpërndarë, por ata do të përpiqen që të shndërrohen në pengesë serioze për ndryshime pozitive, për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, ashtu sikur që po zotohen partnerët e rinj LVV dhe LDK.

“Hyrja na garën zgjedhore veç e veç e PAN-it, që në total kishin marr 38% të votave, përderisa LDK dhe VV kanë marr nga 25 % e 24, është element inkurajues i angazhimit të tanishëm të LDK-së dhe VV-së, për ndryshim. Pra tani duhet provuar edhe këta si koalicion dhe le të shpresojmë se do të ndryshon shumë çka në dobi të popullit, edhe pse rruga është gjatë deri te ndryshimi. Është tepër e sigurt që në këtë rrugëtim për ndryshime pozitive, nga koalicioni LVV dhe LDK, do të ketë prapë shumë obstruksione nga PAN-i komplet në Kuvend. Ata do të jenë të bashkuar kundër koalicionit LVV-LDK dhe do të rezistojnë në të gjitha variantet, për të ndal ndryshimin ku të munden dhe qysh të munden. Pra do të jetë një rrugë e gjatë e komplikuar e këtyre dy subjekteve politike për ti dhënë ndryshime pozitive dhe qeverisje të reformuar e në funksion të zhvillimit e kthimit të shpresës së qytetarëve”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Burjani konsideron se një bashkëpunim i sinqertë brenda koalicionit LVV-LDK, mundë të jep rezultate të mira, pasi që tani duket se pozitive është marrëveshja bazë, sipas së cilës do të ketë vetëm 12 ministri, ndonëse numri i tyre ka mundur të zvogëlohet deri në 10.

Sfida e madhe e qeverisë së re të koalicionit LVV-LDK, sipas Burjanit, do të jetë Dekriminalizimi dhe VETTING-u që vetë e kanë premtuar për ta realizuar me prioritet, por që me siguri do të ju jep atyre një notë të shkëlqyer nëse arrijnë ta bëjnë.

“Dekriminalizimi dhe Vettingu janë tani të domosdoshëm, më shumë se kurrë në këtë kohë. Duhet të rishikohen e gjithë struktura e sistemit të drejtësisë, të rishikohen dhe vlerësohen edhe pagat në gjyqësor e prokuroi të cilat janë rritur nga PAN-i pa asnjë analizë dhe pa asnjë kriter të bazuar në nevoja reale por me qëllimin e vetëm që të arrihet ndikimi shtesë në drejtësi nga ana e politikës”, përunfoi Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)