Ish-sekretari Mattis: ISIS-i mund të ringjallet

  • 13 October 2019 - 11:39
Ish-sekretari Mattis: ISIS-i mund të ringjallet

Ish-sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, i cili dha dorëheqje nga kjo pozitë për shkak të mosmarrëveshjes me presidentin Donald Trump, ka paralajmëruar se grupi ekstremist i Shtetit Islamik mund të ringjallet në kohën kur Shtëpia e Bardhë ka vendosur t’i tërheqë trupat nga verilindja e Sirisë.

“Ne duhet ta vazhdojmë presionin ndaj ISIS-it në mënyrë që ata të mos e rimarrin veten”, tha Mattis gjatë një interviste të paralajmëruar në televizionin “NBC News”. Intervista e plotë do të transmetohet sonte. 

“Ju mund t’i tërhiqni trupat njësoj si në Irak, por në këtë rast, nëse nuk e vazhdojmë presionin, atëherë ISIS-i do të ringjallet. Është absolutisht e ditur që ata do të kthehen”, tha ai.

Presidenti amerikan është përballur me kritika që nga tërheqja e trupave nga Siria, ku luftonin së bashku me Forcat Demokratike Siriane kundër ISIS-it.

Analistët e kanë akuzuar presidentin për tradhti ndaj luftëtarëve kurdë, të cilët tash po sulmohen nga ushtria turke në veri të Sirisë. Ankaraja i cilëson luftëtarët kurdë si terroristë dhe ka kërcënuar se do t’i largojë ata nga zona kufitare mes Turqisë dhe Sirisë, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)