Skandali i radhës, kërkohet urgjentisht Vetting-u në Kosovë

  • 14 October 2019 - 07:41
Skandali i radhës, kërkohet urgjentisht Vetting-u në Kosovë

“Prioritet i prioriteteve është Vettingu, një prokurori që udhëhiqet nga një prokuror i dyshimtë me diploma fals. Po kur është titullari i korruptuar dhe falsifikator atëherë çka pritet nga prokuroret dhe gjyqtaret tjerë”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, njëherit edhe ish kryetar i Agjencionit Anti-Korrupsion në Kosovë për dy mandate Hasan Preteni, duke u nisur nga përvoja e tij e hidhur me mënyrën se si ka funksionuar deri më tani sistemi drejtësisë kosovare, prokurorisë dhe Gjykatave, nuk e ka marr si shumë befasues as lajmin që bënë të ditur se si Gjykata e Prishtinës e ka dënuar Asdren Mekajn, djalin e gjykatëses së krimeve të rënda Nushe Mekaj me 14 muaj burgim për shantazh.

Image
Hasan Preteni

Sipas raportimit në medie, Gjykata kishte gjetur se i akuzuari Asdren Mekaj, gjatë muajve mars-gusht të vitit 2008 me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme kishte kërcënuar të dëmtuarën V. M. se do të zbuloj lidhjen intime që kishin te bashkëshorti dhe familja e saj, me ç’rast e detyron të njëjtën që nga banka të nxjerrë shumën e parave prej 223,580.10 euro dhe ia jep atij për të hapur biznesin.

Preteni konsideron se ky është edhe një skandal i radhës, por edhe flet shumë për mungesën totale të profesionalizmit në Prokurorinë e shtetit, ku sipas tij, Qeveria e re duhet t’i jep prioritet bërjes së ligjit të Vetting-ut, para të gjitha temave të tjera që do t’i kenë të prioritetizuara nga planin e punës së 100 ditkëshit të parë.

“Prioritet i prioriteteve është Vettingu, një prokurori që udhëhiqet nga një prokuror i dyshimtë me diploma fals. Po kur është titullari i korruptuar dhe falsifikator atëherë çka pritet nga prokuroret dhe gjyqtaret tjerë”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, të gjitha këto dilema zbardhen dhe sqarohen me ligjin Vetting.

“Derisa nuk e kemi në krye të Prokurorisë së shtetit një figurë e cila nuk ka dilema dhe barriera për dyshimet nga e kaluara, edhe nga përgatitja profesionale, nuk mundë të flitet për luftë efikase kundër krimit e korrupsionit, e të mos flasim për disiplinë dhe llogaridhënie brenda institucionit. Prandaj Vetingu duhet të jetë në rend të parë të Ministrisë së Drejtësisë në mandatin në vijim. Gjithçka varet nga titullari, titullari me integritet edhe institucioni me integritet edhe e kundërta. Uroj që këta që do ti udhëheqin institucionet kryesore, pasi që kanë integritet, ti krijojnë edhe institucionet e tilla. Prioritet jo Serbia, jo taksat por prokurorët, policët dhe gjyqtarët”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)