Sherr për futboll në Lipjan, theret tri herë me thikë një i ri pasi nuk e fitoi lojën

  • 14 October 2019 - 09:30
Sherr për futboll në Lipjan, theret tri herë me thikë një i ri pasi nuk e fitoi lojën

A.B kishte deklaruar në polici se, për shkak se kishte humbur lojën, është therur tri herë me thikë, një herë në stomak dhe dy herë në bërrylin e dorës së majtë, nga tifozi E.M.

Sipas policisë i dyshuari E.M, 25 vjeçar, ka qëndruar në arrati mbi një muaj, më pas është paraqitur vetë në stacionin e policisë në Lipjan.

Media  ka siguruar kallëzimin penal të këtij rasti dhe në vijim të tekstit mund të lexoni detaje nga ky rast.

Ngjarja kishte ndodhur më 10 korrik të këtij viti në një fushë të futbollit në fshatin Banullë të Lipjanit.

Sipas deklaratës së dhënë në polici, viktima A.B lojëtar i ekipit që kishte humbur lojën, kishte qenë duke pushuar pas përfundimit të ndeshjes.

I zhgënjyer me humbjen e lojës, aty kishte shkuar duke i bërtitur i dyshuari E.M, tifoz, i cili njihej paraprakisht me viktimën.

Lojtari A.B i kishte thënë të dyshuarit se pse nuk hyri vetë në fushë për ta fituar lojën.

“Pas kësaj deklarate, E.M e kishte nxjerrë një thikë me të cilën kishte filluar ta sulmojë A.B. Edhepse viktima kishte tentuar që të mbrohej, i dyshuari kishte arritur ta godas në një herë në stomak dhe dy herë në bërryl të dorës së majtë”, thuhet në kallëzimin penal

Sipas deklaratave të të dyshuarit dhe viktimës,  ata janë njohur edhe më herët mirë, por nuk  kishin pasur probleme mes vete.

“Sipas E.M, thika me të cilën dyshohet se është sulmuar A.B, kishte rënë në tokë dhe nuk dihet se ku ndodhet”, thuhet më tej në kallëzimin penal.

Sipas policisë i dyshuari E.M, 25 vjeçar, ka qëndruar në arrati mbi një muaj, më pas është paraqitur vetë në stacionin e policisë në Lipjan.

“I dyshuari  ka paraqitur në polici edhe disa dokumente se është duke u trajtuar te psikiatri”, thuhet në kallëzimin penal.

(Kosova Sot Online )