Mësohet gjendja shëndetësore e pacientëve të helmuar, rezultatet e analizave u dalin pas 48 orëve

  • 14 October 2019 - 13:13
Mësohet gjendja shëndetësore e pacientëve të helmuar, rezultatet e analizave u dalin pas 48 orëve

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, ka mbajtur konferencë për medie për gjendjen shëndetësore të pacientëve që janë helmuar nga zarfet e ardhura nga Serbia, shkruan media.

Ajazaj-Berisha tha se se pacientët janë duke u trajtuar dhe gjendja e tyre është stabile.

Ajo theksoi që më herët nuk ka pasur raste të njëjta të cilat kanë ardhur në klinikë, këto janë raste të reja, ajo shtoi se pas 48 orëve do të dalin rezultatet e analizave, ndërsa tha se pacientët do të vazhdojnë të qëndrojnë në Klinikë.

“Dje në Klinikën Infektive kanë ardhur 11 persona të cilat janë duke u trajtuar dhe gjendja është stabile. 9 janë femra, dy prej tyre janë shtatzënë dhe dy meshkuj. Më herët nuk ka pasur raste të tilla që kanë ardhur në Infektive me gjendje të njëjtë, është diçka e re. Personat kanë pasur mundim, vjellje, ndryshime në lëkurë, kruarje. Pacientët do të qëndrojnë në klinikë edhe me tutje. Pas 48 orë do të dalin rezultatet të analizave”, tha Ajazaj-Berisha.

“Sipas Institutit të Shëndetit Publik duhet së paku 48 orë të presim. Pacientët do të qëndrojnë në klinikë, duhet të observohen dhe kur ne e dimë se gjendja është për t’i lëshuar në shtëpi, atëherë i lëshojmë. Sa u përket shtatzënave dhe sipas gjinekologëve gjendja e nënës dhe fëmijës është e mirë. Në Infektive dje kanë ardhur këto raste kështu që ditëve më herët paraprake nuk kemi pasur. Dje janë pranuar nëntë të parët, më pas edhe një tjetër dhe nga mbrëmja edhe një tjetër”, shtoi ajo.

Dje u raportua se 26 zyrtarë të cilët ishin duke numëruar votat e sjella nga Serbia, të paketuara në zarfe iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore me dyshimin për helmim.

(Kosova Sot Online)