Skandalet e njëpasnjëshme, vjen kërkesa urgjente për Kosovën

  • 14 October 2019 - 14:44
 Skandalet e njëpasnjëshme, vjen kërkesa urgjente për Kosovën

“Këtej e tutje duhet domosdo të bëhet ligji VETTING. Nuk ka mundësi ndryshe të spastrohen këto organe. Kjo për faktin se janë shumë të përgatitur për mbrojtje dhe shumë tinëzare në veprime. Janë të aftë të ikin nga përgjegjësia dhe mos të kapen. Lidhjet e tyre shkojnë ndërmjet veti duke u mbrojtur dhe ecin deri tek lidhjet mafioze ekonomike dhe politike. Pra, është vështirë të luftohen nga këto mekanizma që tash i ka vendi i ynë. Mbetet të arrihet ky qëllim vetëm me ligjin VETTING”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit kanë reaguar ashpër pas skandaleve të një pas njëshme që po e përcjellin drejtësinë kosovare këto javët e fundit, pas rastit të Pejës dhe atij në Skenderaj.

Image
Muhamet Kelmendi

Në gjykatën themelore të Pejës patëm rastin me Gjykatësin Sali Berisha, kurse rasti tjetër brenda pak ditësh ishte ai i gjykatësit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Mirëpo skandalet nuk u ndalën me kaq. Akoma më skandaloz dhe inkriminues paraqitet fakti dhe rasti, kur Gjykata e Prishtinës e ka dënuar Asdren Mekajn, djalin e gjykatëses së krimeve të rënda, Nushe Mekaj me 14 muaj burgim për shantazh ndaj qytetarëve të pa fajshëm vetëm për t’i zhvatur për përfitime kriminale.

Sipas raportimit në medie, Gjykata kishte gjetur se i akuzuari Asdren Mekaj, gjatë muajve mars-gusht të vitit 2008 me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme kishte kërcënuar të dëmtuarën V. M. se do të zbuloj lidhjen intime që kishin te bashkëshorti dhe familja e saj, me ç’rast e detyron të njëjtën që nga banka të nxjerrë shumën e parave prej 223,580.10 euro dhe ia jep atij për të hapur biznesin. Gjykata e Prishtinës me datën 20 maj 2019-të, kishte shpallur vendimin me të cilin e dënoi Asdren Mekaj me 14 muaj dënim me burgim për veprën penale të shantazhit. Po ashtu gjykata i shqiptoi edhe dënim plotësues – konfiskimin e automjetit BMV-X5. Ndërsa e dëmtuara V. M. është udhëzuar që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në kontest civil.

Duke reaguar rreth këtij rasti, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë për “Kosova Sot Online” se ky rast është edhe një në element tjetër shtesë që e bënë të domosdoshëm përshpejtimin e bërjes së ligjit VETING për sistemin e drejtësisë kosovare, për të parë se si dhe nga e krijuan gjithë ata pasuri marramendës gjykatës e prokurorë të Kosovës, e cila në kushte normale as nuk mundë të arsyetohet dhe mbulohet me të ardhurat e rregullta personale në kushtet kosovare.

Profesor Kelmendi thotë se të gjitha këto raste që po paraqiten së fundi, por edhe vetë fakti se e sa janë bërë të pasur prokurorët e gjykatësit e Kosovës në raport jo proporcional me të ardhurat që i kanë, mjafton të krijohet dyshimi i bazuar se janë pasuruar përmes rrugëve të kundërligjshme.

“Prandaj vetëm me ligjin Vetting, i cili mbetet barrë e qeverisë së re të Kosovës, do të mësohet e vërteta dhe të pastrohet sistemi. Lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosove, sikundër është prokuroria dhe gjykatat, ndaj edhe organet e luftës kundër krimit, janë kryesisht të kaluar dhe në gjendje të rëndë korruptive. Nuk ka nevojë fare të shikohen faktet. Mjafton gjendja ekonomike dhe pasuroreve e personave që punojnë nëpër këto organe. Çdo njeri është më i pasur se tjetri. Kanë shtëpi e banesa, makina luksoze dhe bëjnë jetë të veçantë dhe shumë të kushtueshme. Këto janë mjaftë për të gjetur krimin”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kelmendi thotë se të dy partitë fituese të zgjedhjeve që po negociojnë për koalicion qeverisës, LVV dhe LDK, e kanë premtuar ligjin Veting dhe tani duhet ta jetësojnë me prioritet, sepse vetëm kështu mundë të tregohen se sa e kanë seriozisht forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

“Këtej e tutje duhet domosdo të bëhet ligji VETTING. Nuk ka mundësi ndryshe të spastrohen këto organe. Kjo për faktin se janë shumë të përgatitur për mbrojtje dhe shumë tinëzare në veprime. Janë të aftë të ikin nga përgjegjësia dhe mos të kapen. Lidhjet e tyre shkojnë ndërmjet veti duke u mbrojtur dhe ecin deri tek lidhjet mafioze ekonomike dhe politike. Pra, është vështirë të luftohen nga këto mekanizma që tash i ka vendi i ynë. Mbetet të arrihet ky qëllim vetëm me ligjin VETTING. Vetëm ky ligj si mekanizëm i ri e spastron vendin nga krimi dhe korrupsioni dhe hapë rrugën e kapjes së të gjithë atyre që kanë rënë ndesh me ligjin, të dhënies së përgjegjësisë penale para ligjit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me krim e korrupsion. Pra institucionet e reja që do krijohen tani duhet të veprojnë shpejtë sepse koha nuk pret”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)