Trump: Kurdët i liruan qëllimisht të burgosurit, Turqinë e presin sanksionet

  • 14 October 2019 - 15:57
Trump: Kurdët i liruan qëllimisht të burgosurit, Turqinë e presin sanksionet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka dhënë një deklaratë të çuditshme dhe, sipas të gjitha gjasave, të pabazuar në dëshmi, duke thënë se forcat kurde i kanë liruar qëllimisht të burgosurit e ISIS-it, të cilat raportohet se kanë ikur gjatë ofensivës turke në Siri.

Si pjesë e një vargu sulmesh ndaj televizionit “Fox News”, i cili vazhdimisht e ka përkrahur presidentin, kreu i Shtëpisë së Bardhë u mundua ta mbrojë veten nga kritikat për vendimin lidhur me tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, duka ia hapur rrugën sulmeve turke.

Qindra militantë të ISIS-it dhe grupeve të tjera u arratisën nga një kamp këtë fundjavë, ndërsa presidenti amerikan tha se Evropa e kishte mundësinë që t’i marrë të burgosurit e vet të ISIS-it, por nuk e dëshiroi koston e këtij veprimi.

Më pas, ai shkroi në Tëitter: “Kurdët mund t’i kenë liruar disa të burgosur që të na përfshijnë ne. Ata mund të kapen lehtë nga Turqia apo vendet evropiane nga kanë ardhur, por ato duhet të marrin masa shpejt. Sanksione të mëdha po vijnë për Turqinë! A mendojnë vërtet njerëzit se ne duhet të luftojmë kundër Turqisë, anëtare e NATO-s?”

Ndryshe, presidenti amerikan është akuzuar se i ka tradhtuar kurdët me vendimin për tërheqjen e trupave amerikane, sepse ka qenë e ditur se Turqia ka paralajmëruar sulm ushtarak ndaj tyre disa javë më parë, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)