Ja kush e paralajmëron dështimin e koalicionit: Kjo është karta e fundit e SHIK-ut...

  • 14 October 2019 - 16:45
Ja kush e paralajmëron dështimin e koalicionit: Kjo është karta e fundit e SHIK-ut...

“Kjo ngrirje e njëanshme e negociatave nga LDK me VV-në, nuk është asgjë tjetër, përveçse një skenar i paramenduar nga PDK-ja dhe SHIK-u me bashkëpunëtorët e tyre që kanë brenda për brenda LDK-s, në pritje për ta kaluar eventualisht pragun edhe koalicioni NISMA –AKR , dhe për ta mashtruar LDK-në me pozitën e kryeministrit, që të ndërtohet koalicioni i treshes; LDK-PDK- Nisma dhe përsëri të tradhtohet Vetëvendosje, për ta lënë sërish në opozitë bashkë me AAK-në”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Vendimi i kryesisë së LDK-së për t’i pezulluar negociatat me Vetëvendosjen për koalicionin, deri sa të numërohen të gjitha votat dhe të shpallen rezultatet, po vazhdon të kritikohet nga analistët politikë.

Image
Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri tha për “Kosova Sot Online” se kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe tendenca për ngrirjen e njëanshme të negociatave me Vetëvendosjen për koalicion, nga një grup brenda LDK-së, i prirë nga Agim Veliu, do ta bëjë që të përsëritet edhe njëherë kriza e të ashtuquajturit VLAN e cila e pati lënë Kosovën rreth 6 muaj pa qeveri dhe Kuvend.

“Vet deklarata e habitshme e Isa Mustafës, se dy parti kanë dalë të parat dhe vendimi i kryesisë së LDK-së për ti ngrirë negociatat me Vetëvendosjen për koalicionin deri në numërimin e të gjitha votave dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, mund të sjellë vërtetë zhvillime të pa pritura sa të pamundësohet edhe koalicioni për bashkëqeverisje me VV-n dhe Albin Kurtin”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, edhe pse parimisht LDK-ja asnjëherë nuk është deklaruar kundër koalicionit me VV-në, në prapaskenë është përgatitur vazhdimisht edhe skenari tjetër rezervë që në momentin e fundit të vendosen kushtet të cilat do të jenë të pa pranueshme për fituesin e zgjedhjeve dhe gjithçka të dështojë sa i takon lidhjes me VV-në.

Qarri thotë se refuzimi i koalicionit me VV-në nga LDK-ja, dhe llogaritja në një koalicion tjetër me PDK-në dhe të tjerët, do të ju shërbente si mbrojtje më e sigurt nga drejtësia disa figurave me peshë në LDK, të cilat mundë të kenë problem me ligjin.

“Ndaj ashtu siç edhe pritej, forcat regresive brenda LDK-së shihet qartë se kanë për qëllim që të dështoj në momentin e fundit përpjekja dhe negociatat për koalicion qeverisës mes LDK-së dhe VV-së, dhe atë jo për shkak të pozitës së kryeministrit,as ndarjes së votës së përgjithshme, por për shkak të frikës se nëse nuk bëjnë koalicion me PDK-në, dhe mbeten pa mbrojtjen e saj, mund të ndëshkohen për pjesëmarrjes në korrupsion dhe krim të organizuar, sidomos zërat kundërshtues dhe me dilema për këtë koalicion nga Isa Mustafa e Lutfi Haziri deri te Agim Veliu nga dega e Podujevës”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Qarri është i sigurt se vazhdimi i takimeve në mes të grupeve të ekspertëve nga LDK dhe VV, kinse për harmonizimin e pikave programore dhe vendosjes së disa parimeve bazë për mënyrën e qeverisjes, janë vetëm një lojë e SHIK-ut e paramenduar për blerje kohe.

“Me shpresë për të përmbysur rezultatin përmes procedurave që po zhvillohen në KQZ dhe pastaj joshur LDK-në me pozitën e kryeministrit për ta ndërruar partnerin e bashkëpunimit për bërjen e qeverisë së re. Kjo ngrirje e njëanshme e negociatave nga LDK me VV-në, nuk është asgjë tjetër, përveçse një skenar i paramenduar nga PDK-ja dhe SHIK-u me bashkëpunëtorët e tyre që kanë brenda për brenda LDK-s, në pritje për ta kaluar eventualisht pragun edhe koalicioni NISMA –AKR, dhe për ta mashtruar LDK-në me pozitën e kryeministrit, që të ndërtohet koalicioni i treshes; LDK-PDK- Nisma dhe përsëri të tradhtohet Vetëvendosje, për ta lënë sërish në opozitë bashkë me AAK-në”, përfundoi analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)