Lideri i burgosur katalan: Referendumi i ri është i pashmangshëm

  • 15 October 2019 - 11:33
Lideri i burgosur katalan: Referendumi i ri është i pashmangshëm

Ish-zëvendëspresidenti i Katalonjës, Oriol Junqueras, i burgosur për rolin e tij në referendumin për pavarësinë e këtij rajoni, i cili u mbajt në vitin 2017, ka thënë se referendumi i ri për shkëputje nga Spanja është i pashmangshëm.

Ky ish-lider dhe tetë separatist të tjerë u dënuan të hënën për nxitje të kryengritjeve nga Gjykata Supreme e Spanjës. Vendimi i gjykatës nxiti protesta të dhunshme në mbarë Katalonjën, ku pati përleshje mes policisë dhe protestuesve. Madje, protestuesit u përpoqën ta bllokojnë aeroportin “El Prat” në Barcelonë. 

Përmes një interviste me postë elektronike për agjencinë “Reuters”, Junqueras, i cili u dënua me 13 vjet burgim, tha se është i bindur që për t’i dhënë fund konfliktit për pavarësi duhet të gjendet një zgjidhje politike.

“Jam i sigurt se ky konflikt duhet të zgjidhet përmes kutive të votimit. Ne jemi të bindur se, herët apo vonë, referendum është i pashmangshëm, sepse si mund t’u japim zë qytetarëve ndryshe?” shkroi ai nga burgu, duke shtuar se nuk është penduar që e ka organizuar referendumin për pavarësi në tetor të vitit 2017.

Junqueras gjithashtu konfirmoi se ai dhe të burgosurit e tjerë do ta dërgojë rastin e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)