Shiti bileta të falsifikuara të ndeshjes Kosova – Mali i Zi, policia arreston mashtruesin

  • 15 October 2019 - 12:18
Shiti bileta të falsifikuara të ndeshjes Kosova – Mali i Zi, policia arreston mashtruesin

Policia ka arrestuar një person i cili ka shitur bileta të ndeshjes në tregun e zi. Bëhet e ditur se nga i dyshuari janë konfiskuar gjashtë bileta

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Prishtinë, ku policia ka arrestuar të dyshuarin pasi i janë gjetur gjashtë bileta të cilat dyshohet të kenë qenë te falsifikuara.

Po ashtu, në stacion policor janë paraqitur katër persona të cilët kanë deklaruar se nga i dyshuari kishin blerë bileta në shuma të ndryshme e më pas kishin kuptuar se ishin të falsifikuara. 

Policia në raportin 24 orësh bën të ditur se me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, një ditë pas ndeshjes Kosovë – Mali i Zi, Prokuroria e shtetit ka filluar ta hetojë procesin e shitjes së biletave për shikues.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Prokuroria e shtetit.

“Ju njoftojmë se Prokuroria e Shtetit, bazuar në lajmet e publikuara në media ka filluar grumbullimin e informatave, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja e Kosovës”, theksoi zëdhënësi i Prokurorisë së shtetit, Ekrem Lutfiu.

E hetimin e Prokurorisë po e mbështet edhe Federata e Futbollit e Kosovës e cila thotë se do të bashkëpunojnë në të gjitha mënyrat e mundshme për t’u ndihmuar hetuesve.

“Federata e Futbollit e Kosovës i mbështet të gjitha hetimet dhe do të bashkëpunojë në të gjitha mënyrat e mundshme për t’i ndihmuar hetimet për shitjen ilegale të biletave të Kosovës”, ka thënë Ademi.